LDK: Albin Kurti tha një grumbull të pavërtetash

Albin Kurti pohoi se Isa Mustafa po i shkon mbrapa Hashim Thaçit, që t’i bashkohet pastaj në zgjedhje. LDK i përgjigjet. Thotë se ai tha të pavërteta dhe u shqua për moskuptim të proceseve politike. LDK konstaton edhe bashkëpunim mes VV'së me PDK'në.

Lajme

08/03/2014 19:10

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Lideri të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili të premten, gjatë një interviste për RTK, ka deklaruar Se Isa Mustafa po i shkon mbrapa Hashim Thaçit tash, për t’iu bashkuar pastaj pas zgjedhjeve.

Në një komunikatë për media, LDK ka pohuar se Kurti ka thënë një grumbull të pavërtetash.

“Në emisionin Debat, të transmetuar mbrëmë në RTK, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti, tha një grumbull të pavërtetash lidhur me aktivitetin politik dhe institucional të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe u shqua për moskuptim të thellë të proceseve politike të vendit.”

“LDK dëshiron të theksojë edhe një herë se Kryetari Mustafa po çon përpara agjendën politike të miratuar nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.”

“LDK angazhohet për një proces gjithëpërfshirës politik dhe institucional me qëllim që Kosova të shkojë në zgjedhje në pjesën e parë të këtij viti dhe që zgjedhjet të jenë të përgatitura mira, të rregullta dhe të ndershme.”

“Me qëllim të bashkërendimit të veprimeve, Kryetari Mustafa ka takuar liderët e subjekteve të tjera politike dhe, së pari, ka kërkuar që të takohet me z. Kurti.”

LDK, thuhet në këtë komunikatë, vlerëson se vendit i duhen procese politike të garantuara nga një pajtueshmëri e gjerë, me qëllim që edhe procesi zgjedhor të jetë i përgatitur mirë.

LDK pohon se do të angazhohet që, në bashkëpunim me të gjitha subjektet politike dhe institucionet kushtetuese, të përcaktohet agjenda politike e institucioneve, për të përgatitur procesin dhe për të shkuar në zgjedhje brenda pjesës së parë të vitit.

“Sa i takon pretendimit të z. Kurti se vetëm VV-ja e tij e ka bërë opozitën, LDK-ja dëshiron t?ia kujtojë liderit të VV-së se, në zgjedhjet lokale të fundit, subjekti i tij është përgjysmuar, ndërsa përkrahja për LDK-në dhe për alternativën e saj programore e qeverisëse është rritur sa të bëjë atë fituese në pjesën më të madhe të qendrave të mëdha të vendit dhe fituese të vërtetë të zgjedhjeve.”

“LDK-ja, po ashtu, ia kujton z. Kurti se VV-ja ka arritur të ketë kryetarin e Komunës së Prishtinës, të vetmen garë të fituar në të vetmin balotazh në Kosovë, me ndihmën përcaktuese të Partisë Demokatike të Kosovës të z. Hashim Thaçi.”

“Po ashtu, ngjarjet e fundit në Asamblenë Komunale të Prishtinës, sidomos në rasti i zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të Aksionarëve të Ndërmarrjeve Publike, e dëshmoi bashkëpunim e ngushtë të VV-së me PDK-në në Prishtinë.”

“LDK-ja dëshiron të theksojë se pretendimi i z. Kurti për afrim të LDK-së me PDK-në është totalisht i pavërtetë. LDK-ja do të garojë në zgjedhje e vetme dhe e vetme do të dalë parti e parë.

“LDK-ja vlerëson se, si subjekti politik më i madh në vend, agjendat dhe veprimet e saj nuk mund të determinohen nga agjendat a paqarta të subjekteve tre herë më të vogla.”

“LDK-ja do të vijojë punën e saj për të ndihmuar proceset në vend, do të shtyjë përpara agjendën politike të saj, do të ndikojë në mënyrë vendimtare që zgjedhjet të përgatiten mirë dhe që të respektohet vullneti politik i qytetarëve të Kosovës. LDK-ja vlerëson se një proces i rregullt është shumë më i rëndësishëm se interesat e subjekteve politike.”