LDK akuzon Shpend Ahmetin për shpifje

Grupi i këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Prishtinës, ka akuzuar kryetarin e komunës Shpend Ahmetin dhe nënkryetarin Dardan Sejdiu, për siç thonë ata shpifjet që bënë gjatë ditës së djeshme, duke publikuar "skemën e nepotzmit" të familjarëve të kësaj partie në ndërmarrjet komunale.

Lajme

06/02/2015 13:36

Në një konferencë për media, grupi i LDK-së, ka shprehur pakënaqësitë për kryetarin Ahmeti, nga i cili kishin pritur që ai të paraqiste vizionin e tij për zhvillim të kryeqytetit, por siç thotë grupi i LDK-së, aty u paraqiten vetëm filikaqat.

“Kjo nuk ndodhi, sepse kryetari dhe nënkryetari i komunës u morën me të tjera punë, u morën me shpifje dhe insinuata. U morën me filikaqa. Filikaqat e lokalit të tij biznesor i solli në institucionin e Kuvendit të Komunës. Bashkë me filikaqa solli edhe militantë me emër dhe mbiemër që kërcënojnë çdo ditë në rrjete sociale dhe të njëjtit i solli edhe ne ndërtesën e komunës”, thuhet në komunikatën dërguar mediave nga kjo konferencë.

LDK, e quan Ahmetin kryetar të komprometuar, i cili edhe është arrestuar nga policia për pjesëmarrje në protesta të dhunshme dhe i padenjë për qeverisje. Grupi i LDK-së, thonë se Shpend Ahmeti, tash e sa kohë po merret me shpifje.

“Ai po merret me gjithçka po jo me zhvillimin dhe përparimin e kryeqytetit. Dështimet e tij të njëpasnjëshme e kanë çoroditur sjelljen e tij. Ai në vend se të merret me projekte për zhvillim, ai po merret me shpifje ndaj individëve. Ai po merret me shpifje ndaj kryesuesit të Kuvendit të komunës dhe ndaj shumë e shumë anëtarëve të Kuvendit. Dëshmia më e mirë e kësaj sjelljeje u tregua në séancën e djeshme të Kuvendit të Komunës”, është thënë në konferencën për media të grupit të LDK-së./KosovaPress/