LDK-AAK-Nisma akuzojnë Thaçin se po i bën presion Presidentes

Koalicioni LDK AAK NISMA kanë akuzuar Kryeministrin në detyrë, Hashim Thaçin se me anë të retorikës së tij, të përdorur gjatë ditëve të fundit po i bën presion ndaj Presidentes Jahjaga dhe diskrecionit të saj të përcaktuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Lajme

04/07/2014 16:02

Përmes një komunikate të përbashkët, ky koalicion shprehë shqetësim për këtë retorikë të Kryeministrit Thaçi, e cila, sipas tyre, është në kundërshtim me parimet e demokracisë.

Më poshtë mund të lexoni komunikatën e Koalicionit LDK-AAK-Nisma:

Koalicioni LDK-AAK-Nisma konsideron se retorika e përdorur ditëve të fundit nga PDK është në kundërshtim të plotë me parimet e demokracisë dhe votës së lirë.

Duam të përkujtojmë PDK-në se institucionet e reja nuk mund të krijohen me metoda klandestine, shantazhe e as presione ndaj përfaqësuesve të zgjedhur të popullit. Asnjë parti politike nuk është e obliguar që kundër vullnetit të saj të krijojë partneritet me PDK-në, në mënyrë që t’ia sigurojë asaj shumicën parlamentare.

Insistimi i zyrtarëve të lartë të PDK-së, të cilët mbajnë edhe funksione të larta të shtetit, për mandatim të dyfishtë të PDK-së, jo vetëm që është konstatim i pasaktë dhe i pandershëm, por është presion i pastër ndaj presidentes dhe diskrecionit të saj të përcaktuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ftojmë Partinë Demokratike që t’i respektojë proceset shtetformuese të Kosovës dhe të njohë realitetin politik në Kosovë.

Qeveria LDK-AAK-NISMA dhe partnerët tjerë, është qeverisje e shumicës dhe ka marrë drejtim. Kjo nuk mund të ndalet me asnjë presion dhe shantazh të zyrtarëve të PDK-së.