Lazio ndal Juventusin
Lazio me Etrit Berishën në portë dhe Lorik Canën në mbrojtje, luajti baraz 1:1 me Juventusin në Olimpico, duke ndalur Bianconerët në serinë prej 12 fitoreve të njëpasnjëshme në Serie A.

Sport
Juventus ka barazuar me skuadrën e Lazios në Olimpico me rezultat 1-1 në një ndeshje mjaft intenzive dhe interesante.
Ndeshja filloi e barazpeshuar, me Juventusin që po dominonte lehtë. Me kalimin e kohës kampioni aktual i Italisë filloi ta dominonte ndeshjen duke pasur posedimin e rastet.
Megjithatë, në minutën e 27, ndeshja morri një kahje tjetër. Gianluigi Buffon si lojtar i fundit e ndaloi Miroslav Klosen , gjyqtari akordoi penalti dhe e ndëshkoi kapitenin e Juves me të kuq. Antonio Candreva u tregua i saktë për 1-0.
Në pjesën e dytë, ndeshja u bë shumë e gjallë. Të dyja skuadrat kishin raste të njëpasnjëshme, duke krijuar ndeshje të bukur për publikun. Si pasojë e kësaj, në minutën e 60 erdhi goli i barazimit nga Juventus. Stephan Lichtsteiner kroson, e Fernando Llorente shënon me kokë, duke mos i dhënë asnjë shpresë Berishës.
Deri në fund të ndeshjes të dyja skuadrat e kërkonin golin, por Lazio ishte shumë pranë tij duke qëlluar traversën me Klosen dhe shtyllën me të riun Keita, por rezultati mbeti 1-1.