Lazarat, ndalohen tre të rinj
Forcat speciale të Policisë së Shqipërisë, RENEA, kanë arrestuar mëngjesin e sotëm tre persona të tjerë që dyshohet se hapën zjarr ndaj forcave të policisë ku mbeti i vrarë Ibrahim Basha dhe u plagosën dy të tjerë.
Lajme
Personat janë ndaluar pas një urdhri të nxjerrë nga prokuroria. Tre personat në bashkëpunim me vëllezërit Aliko dyshohet se qëlluan në drejtim të forcave të policisë, shkruan shekulli.
Të ndaluarit janë Klodian Selimi, 19 vjeç, Dervish Gaba, 20 vjeç, Elvis Boçi, 19 vjeç, banues në Lazarat.
Forcat RENEA dhe ato të FNSH po vijojnë operacionin në Lazarat duke ushtruar kontroll të imtësishëm në çdo banesë të fshatit me qëllim kapjen e personave të përfshirë në sulmin me armë ndaj policisë një ditë me parë që lanë të vrarë një efektiv të RENEA dhe plagosën dy të tjerë.
Operacioni ka rifilluar dje në mëngjes me dhjetëra forca policore, të cilat gjatë një natë më parë kishin bllokuar pikat kyçe të hyrje-daljeve në Lazarat.
Disa vetura të policisë dhe mjete të blinduara kanë ndaluar në qendër të fshatit për të vazhduar më pas kontrollet në zonat e dyshuara ku ndodhen anëtarët e grupit të zjarrit.