Latifi rikthehet pak në çështjet shëndetësore, paralajmëron ndryshime në bordin e fondeve të trajtimit jashtë vendit

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka deklaruar se organet e drejtësisë do të merren me rastet e keqpërdorimeve të Fondit të Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike.

Lajme

08/06/2022 14:13

Latifi gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi ka paralajmëruar ndryshime serioze të bordit të këtij fondi.

“Nëse ka keqpërdorime, organet përgjegjëse duhet të merren me të. Bordi i fondit do të ketë ndryshime serioze, nëse dikush e ka thyer ligjin dhe do të ketë pasoja. Unë jam tmerruar, kur kam shkuar te fondi e në oborr janë dy dyqane që merren me rekrutimin e pacientëve për t’i dërguar jashtë vendit”, ka thënë ai.

Ish-ministri, Armend Zemaj ka deklaruar se qeveria aktuale nuk ka prioritet shëndetësinë.

Ai ka përmendur edhe rastin e ish-ministrit të Shëndetësisë Arben Vitisë, ku tha se pa kaluar një vit, ai është menaxher në një institucion privat shëndetësor, gjë e cila shpërfaq konflikt interesi.

Ndërsa, ministri Latifi ka shtuar se po punojnë për transformimin e sektorit të shëndetësisë në vend.

“Kemi 17-18 udhëzime administrative që janë duke punuar. Është grupi punues duke punuar. Legjislacioni është çështje që po merremi dhe mirëqenien e infermierëve dhe punëtorëve shëndetësorë. Ne duhet të fillojmë procesin e akreditimit të spitaleve private dhe përmirësimin e infrastrukturës”, ka thënë ai.