Latif Gashi tregon pse nuk kandidon në këto zgjedhje

Ish-deputeti i PDK-së dhe i dënuari për krime lufte, Latif Gashi, ka thënë se ai nuk do të garojë përsëri për deputet, me kërkesë të tij ndaj kryetarit Kadri Veseli.

Lajme

11/09/2019 13:55

Gashi përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se kjo është bërë me kërkesë të tij ndaj të parit të kësaj partie, Kadri Veseli.

“Tani kur u publikua lista e PDK-së për deputetë, pata shumë telefonata, mesazhe telefonike, të cilët janë interesuar, pse emri im nuk është në listën e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës. Qytetarë të dashur, dua të njoftoj që ishte kërkesë e imja personale ndaj kryetarit Kadri Veseli, që mos të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputet në Kuvendin e Kosovës”, tha Latifi.

Ai po ashtu tha se do të vazhdojë që të jetë pjesë e PDK-së dhe është anëtar i Shtabit Zgjedhor për zgjedhjet e këtij viti.

“Unë do të vazhdoj të jem pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës e udhëhequr nga kryetari Veseli, të cilës ia kam falur gjithë besimin tim si dhe prej të cilës jam emëruar anëtar i Shtabit Zgjedhor të PDK-së për zgjedhjet e vitit 2019”, ka shkruar Latifi.

Ky është postimi i tij i plotë:

Tani kur u publikua lista e PDK-së, për deputet, pata shumë telefonata, mesazhe telefonike, të cilët janë interesuar, pse emri im nuk është në listën e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Qytetarë të dashur, dua t’iu njoftoj që ishte kërkesë e imja personale ndaj Kryetarit Kadri Veseli, që mos të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Unë do të vazhdojë të jem pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës e udhëhequr nga Kryetari Veseli , të cilës ia kam falur gjithë besimin tim si dhe prej të cilës jam emëruar anëtar i Shtabit Zgjedhor të PDK-së për zgjedhjet e vitit 2019.

Në legjislaturën e katërt dhe në legjislaturën e pestë, më keni dhënë besimin që të jam deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në veçanti besim absolut më është dhënë nga qytetarët Llapjan, për të cilin besim iu jam mirënjohës dhe falënderues dhe që Partia Demokratike e Kosovës respektivisht organet e saj më besuan të jem anëtar i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa.

Jam përpjekur dhe shpresoj që ia kam dalë të jap kontribut maksimal për vendin dhe qytetarët, të gjitha i kam bërë me shumë kënaqësi, siç i takon një veprimtari që ka fatin jetësor, të jap kontribut në të gjitha proceset historike nëpër të cilat ka kaluar atdheu jonë Kosova.

Gjaku i dëshmorëve, i derdhur për këtë vend, gjymtyrët e humbura të invalidëve të luftës, sakrifica e qytetarëve, do të janë busolla ime jetësore.

Gjithmonë, do të jem mirënjohës dhe falënderues ndihmës së madhe të aleatëve tanë, SHBA-ve, Gjermanisë, Francës, Anglisë si dhe të gjithë atyre që na ndihmuan në përpjekjen tonë për të pasur këtë Shtet, që tash e kemi.

Konsideroj se me veprime konkrete duhet krijuar hapësirë gjeneratave të reja. PDK, sot ka qindra e mijëra kuadro të reja, të udhëhequr nga Kadri Veseli. Kosova nuk guxon të kthehet pas.

Nuk guxon të ndalet. Nuk guxon të qëndrojë e izoluar. Kosova duhet të ecë përpara.

Zgjedhjet e 6 tetorit nuk janë qëllimi, ato janë mënyra e realizimit të vizionit dhe ëndërrës sonë të përbashkët për këtë vend. Për të mirën e Kosovës, për të mirën e fëmijëve, grave dhe burrave, të rinjve dhe të moshuarve ju bëj thirrje të gjithëve që të bëhemi bashkë. PDK është familja juaj. Është zëri juaj – është forca juaj.

Kadri Veseli si Kryeministër i Kosovës, është gati që bashkë me ju ta bëjmë më të mirën për atdheun tonë. /Lajmi.net/