“Las Vegas”-in e Karaçevës s’e ndal askush

Kazinot ilegale në fshatin Karaçevë të Kamenicës, vazhdojnë të jenë funksionale.

Lajme

29/11/2019 22:40

Edhe pse ka hyrë në fuqi ligji për ndalimin e lojërave të fatit, në fshatin Karaçevë të Kamenicës, kazinot ilegale vazhdojnë të punojnë pa asnjë problem.

Lajmi.net kishte raportuar edhe disa herë më parë se në këtë pjesë të Kosovës janë duke funksionuar kazino ilegale, madje kishte drejtuar pyetje edhe autoriteteve përgjegjëse, por asnjë herë nuk kanë dhënë përgjigje.

Në këtë pjesë të fshatit Karaçevë ku janë hapur këto kazino, nuk monitorohet nga autoritetet e vendit e as nga KFOR-i dhe sipas banorëve, kjo edhe është arsyeja që janë hapur këto kazino.

Në këtë video që është realizuar pak minuta më parë dhe që një lëxues i lajmi.net e ka dërguar në adresë të redaksisë, thotë se tashmë është ndërtuar edhe një kazino tjetër.

Sipas këtij lexuesi, banorët janë ankuar në vazhdimësi po akoma askush nuk ka marrë asnjë iniciativë për t’i mbyllur këto kazino.

“Është zonë kufitare-neutrale dhe nuk guxojnë as Policia e as KFOR-i me kalu në këtë pjesë edhe tash këta njerëz e kanë shfrytëzu situatën. Është By-Passi që kalon KFOR-i dhe Policia edhe që të qet direkt në Karaçevë, ama prej fshatit Novo Sellë në rrugën kryesore nuk kalon askush prej Policisë ose KFOR-it”, ka treguar ky lexues për lajmi.net.

Ky banor i fshatit Karaçevë ka thënë po ashtu se kohën e fundit është ndërtuar edhe një tjetër kazino pasi që sipas tij, fillimisht kanë qenë tri. /Lajmi.net/

YouTube player