Largohet i kënaqur nga Berlini, i fokusuar për një qeveri me bazë të gjerë!

Kryeministri i Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Hashim Thaçi, pasi e ka konsideruar Konferencën për Ballkanin Perëndimor të mbajtur një ditë më parë në Berlin si të një rëndësie të veçantë, ka thënë se shteti gjerman e vlerëson punën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Lajme

29/08/2014 17:03

Në një intervistë për RTK-në, kryeministri Thaçi ka thënë se konferenca ka treguar rritje të interesimit të Gjermanisë për Kosovën dhe rajonin në përgjithësi, duke përmendur edhe ndërtimin e autostradës Prishtinë- Nish, si projekt të rëndësishëm për gjithë rajonin.

“Mund të them lirisht se ndërtimi i autostradës prej kufirit të Shqipërisë deri përtej Prishtinës mbetet synim për të vazhduar me një projekt të përbashkët me investimet apo financimin e Komisionit Evropian, nga Prishtina në drejtim të Nishit, që është një projekt i përbashkët i Kosovës dhe Serbisë, që është në interesin edhe të gjithë rajonit. Dhe do të vazhdojmë, me projektin tashmë që ka nisur, ndërtimi i autostradës në drejtim të Shkupit”, ka thënë Thaçi.

Duke folur për raportet me fqinjët, kryeministri  Thaçi ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë, dhe pret që ai të përfundoj me një traktat paqeje mes dy shteteve.

“Është konkludim i përbashkët që dialogu duhet të vazhdojë, duhet të vazhdojë implementimi i marrëveshjes së arritur me 19 prill të vitit të kaluar pastaj në fazën tjetër për arritjen e marrëveshjes së paqes, mes Kosovës e Serbisë për të vazhduar paralelisht me procesin integrues në NATO dhe Bashkim Evropian”.

Kryeministri ka deklaruar po ashtu se shteti gjerman e vlerëson punën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, dhe se Kushtetuesja sipas shtetit gjerman është duke bërë punë të pavarur dhe profesionale, pa u ndikuar politikisht.

Lideri i partisë fituese të zgjedhjeve të 8 qershorit ka thënë se do t’i koordinojë punët me partitë e tjera politike që bashkërisht të punojnë për formimin e një qeverie me bazë të gjerë.

“Ishte vlerësim i shtetit gjerman se Gjykata Kushtuese po bën punë të pavarur profesionale dhe pa ndikime politike. Ne do t’i koordinojmë punët dhe do të punojmë bashkërisht që të ndërtojmë institucione të qëndrueshme me bazë të gjerë”, ka thënë Thaçi.