Largohen edhe antenat nga Prevalla

MMPH njofton se, në Prevallë, dy operatorët telefonikë \"Vala\" dhe \"Ipko\" kanë hequr antenat e vëna vite më parë pa dokumentacion përkatës.

Lajme

08/11/2013 11:03

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka njoftuar se dy operatorët e telefonisë mobile në vend “Vala dhe “IPKO” kanë hequr antenat e tyre në Prevallë të vendosura atje vite më parë, siç thuhet, pa dokumentacion përkatës.

“Operatorët në fjalë kanë hequr antenat ilegale në Prevallë duke iu bindur shtetit duke filluar njëkohësisht me procedurat e rregullta për pajisje me leje”.

Ministri Dardan Gashi, ka thënë se koha e veprimtarive ilegale ka marrë fund.

“Operatorët telefonikë duhet të kenë qasje në atë zonë dhe ne, sigurisht, nuk jemi kundër funksionimit të tyre, por e gjitha kjo dhe çdo veprimtari tjetër në Prevallë, duhet, njëherë e përgjithmonë, të kontrollohet nga shteti në mënyrë që të lidhet një miqësi e harmonizuar në mes njeriut dhe natyrës. Koha e veprimtarive ilegale ka marrë fund”, ka thënë Ministri Dardan Gashi.

MMPH njofton se dy operatorët e telefonisë mobile kanë nisur procedurat e pajisjes me leje.

Ministri Dardan Gashi rikujton se dora e shtetit do të veprojë në Prevallë dhe tashmë në fokus është “Fshati Turistik” i cili ka degraduar si pasojë e ndërtimeve pa leje dhe tejkalimeve të egra të ndërtim.