Largohemi kur ta kryejmë punën

Shefi i EULEX, Bernd Borchardt, flet për vazhdimin e mandatit të Misionit të tij, për sulmet ndaj vendvotimeve në veri më 3 nëntor dhe paralajmëron reagim më të ashpër të policisë, nëse ato përsëriten.

Lajme

14/11/2013 13:04

Shefi i EULEX’it, Bernd Borchardt, ka thënë sot se vendimi për përfundimin e mandatit të këtij misioni do të rregullohet me një marrëveshje që do të mund të arrihej ndërmjet Brukselit, me rekomandimet teknike të EULEX’it, të 28 vendeve anëtare të BE’së dhe Kosovës.

Në një intervistë për Radio Kosovën, Borchardt është shprehur se do të gjendet një zgjidhje për mandatin e EULEX’it të pas qershorit të vitit të ardhshëm

“Ne jemi mysafirë këtu dhe një ditë do të largohemi, por nuk dëshirojmë që të largohemi pa i kryer punë tona. Mendoj se kemi ende hapësirë për të thënë kontributin tonë”, ka thënë Bernd Borchardt.

“Mund të them që në disa fusha është mjaft mirë, por në disa fusha nuk jam shumë i kënaqur, pra ka hapësirë për kontribut”.

Ai ka folur edhe për arrestimin e gjashtë personave të dyshuar për aktivitete terroriste para disa ditësh në rajonin e Gjilanit.

“Disa çanta janë gjetur dhe janë marrë nën dyshim për terrorizëm. Ky hetim u bë nga Policia e Kosovës, dhe më pas rasti u dërgua në Prokurorinë Speciale, por unë nuk dua të cek më shumë detaje, për arsye se hetimi është duke vazhduar”.

“Arrestimi i të dyshuarve është provë e mjaftueshme dhe shenjë e mirë”, ka thënë Borchardt kur është pyetur nëse institucionet e Kosovës janë fragjile për t’i mbrojtur qytetarët nga sulmet terroriste.

Duke folur për sulmin ndaj tri vendvotimeve në Mitrovicën e Veriut më 3 nëntor, shefi i EULEX’it ka thënë se Policia ka intervenuar shpejt.

“Ne kemi parë sulme në 3 qendra të votimit, por Policia e Kosovës intervenoi shpejt dhe ata hodhën vetëm gurë në vetura. Nuk kishin mundësi të bënin ndonjë gjë tjetër”. Në të njëjtën kohë, në Mitrovicë, Policia e Kosovës na informoi se diçka po ndodhte. Pas disa minutave ekipi ynë shkoi aty dhe identifikoi një grup të rinjsh, të cilët u shpërndanë menjëherë, për të vazhduar kështu sulmin në Leposaviq. Por, me intervenimin e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it , ata e kishin të pamundur të shkaktonin më shumë incidente”.

Ai paralajmëroi sulmuesit se policia nuk do të sillet butë ndaj tyre, nëse ata provojnë t’i sulmojnë përsëri vendvotimet më 17 nëntor.

“Vendimi politik ishte që forcat e sigurisë së lartë të mbaheshin larg qendrave të votimit. Por, tani, ky vendim ka ndryshuar. Ata duan t’i kenë forcat e Policisë së Kosovës, EULEX’it dhe KFOR’it, në tri qendrat e rivotimit”, ka thënë Bernd Borchardt.