Largimi i Jablanoviqit mund të kushtëzohet me pozitën e zëvendësshefit të AKI-së!

Përshkallëzimi i situatës pas protestave të fundit ka rritur presionin për shkarkimin e ministrit serb në Qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jablanoviq.

Lajme

30/01/2015 08:14

Zyrtarë nga Brukseli nuk kanë pohuar as mohuar nëse për këtë çështje do të diskutohet në takimin mes dy palëve, shkruan sot e përditshmja Koha Ditore.

Por burime të gazetës kanë thënë se Jablanoviq mund të shkarkohet qysh para takimit mes kryeministrave të të dyja vendeve, Isa Mustafës e Aleksandar Vuçiqit, që pritet të zhvillohet në fillim të muajit shkurt.

Siç merr vesh Koha Ditore, si kundërshpërblim për largimin e Jablanoviqit Serbia ka kërkuar t’i lejohet që ta propozojë kandidatin për zëvendësshef të AKI-së.

Maja Kocijançiq, që është zëdhënëse e shefes për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, nuk ka mohuar as pohuar kur është pyetur për mundësinë e diskutimit në Bruksel për këtë punë.