Lansohet edicioni për këtë vit i Platformës “Shijo Kosovën”, duke sjellë aktivitete të shumta për mërgatën anembanë Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka lansuar programin “Shijo Kosovën”, për këtë vit. Në një deklaratë për media thonë se kjo platformë fuqizon lidhjet mes mërgatës dhe Kosovës, duke ofruar mekanizma të shumtë që rrisin ndërveprimin mes të rinjve, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave. Deklarata e plotë për media: “Platforma “Shijo Kosovën”…

Lajme

27/07/2024 20:52

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka lansuar programin “Shijo Kosovën”, për këtë vit.

Në një deklaratë për media thonë se kjo platformë fuqizon lidhjet mes mërgatës dhe Kosovës, duke ofruar mekanizma të shumtë që rrisin ndërveprimin mes të rinjve, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave.

Deklarata e plotë për media:
“Platforma “Shijo Kosovën” është një përmbushje e zotimit të institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj mërgatës, ajo fuqizon lidhjen mes
mërgatës dhe Kosovës, duke ofruar organizime të shumta që do të fuqizojnë lidhjet e mërgatës me Kosovën, të rrisin ndërveprimin mes të rinjve, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave në fusha të ndryshme,” tha Ministrja Gërvalla, në ceremoninë e lansimit të edicionit të këtij viti të “Shijo Kosovën”, përmes të cilës do të organizohen dhjetëra aktivitete dhe ngjarje të ndryshme gjithandej në Kosovë.
E shoqëruar nga Zëvendësministrja Gashi, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, përpara dhjetëra përfaqësuesve të organizatave joqeveritare dhe mysafirëve të tjerë, tha që platforma “Shijo Kosovën” është një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve tona me mërgatën, duke kontribuar në ruajtjen dhe forcimin e identitetit dhe shtetit tonë.
Para të pranishmëve, Zëvendësministrja Gashi prezantoi platformën dhe aktivitetet, duke theksuar se përmes saj pasqyrohen aktivitetet kulturore, sportive dhe rekreative, të cilat zhvillohen në të gjitha komunat tona në nivel të Kosovës.
Në kuadër të thirrjeve publike të MPJD-së për mbështetjen e projekteve në fushën e përfshirjes së të rinjve nga mërgata dhe diplomacisë publike, gjatë këtij viti janë mbështetur 97 projekte, me një vlerë totale që arrin mbi 800 mijë euro, kontratat e të cilave u nënshkruan në këtë ceremoni./Lajmi.net