LAN-VV, kush kujt po i lëshon pe, apo e tëra është blof i radhës?

Analisti politik, Shkëlzen Maliqi vlerëson se paralajmërimet e sotme të marrëveshjes mes Bllokut dhe VV-së për bashkëqeverisje është një zhvillim që premton tejkalimin e ngërçit. Mirëpo, Maliqi vlerëson se çmimi i kësaj është diçka që të gjithë duhet të mendohemi duke u pyetur: a ia vlen barra qiranë?!

Lajme

09/09/2014 20:30

Çështja është se marrëveshja, nëse jo menjëherë, atëherë në një të ardhme jo fort të largët, do të sjellë komplikime shumë serioze për Kosovën, tha Maliqi për Indeksonline.

Ai tha se refuzon të besojë se një qeveri e ndërtuar mbi parimet “anti-Thaçi” do të tregohet stabile, pasi që, siç thotë ai, “është mbi bazën e numrave shumicë të thatë”.

“Po, Ramush Haradinaj me marrëveshjen siguron mazhorancën që Isa Mustafën të bëhet kryetar i Kuvendit e ai vetë kryeministër. Por, unë nuk besoj se një qeveri e ndërtuar mbi parimin anti-Thaçi, ose anti-PDK, do të tregohet stabile vetëm mbi bazën e numrave shumicë të thatë. Madje, edhe këta numra a do të mund të mbesin të tillë për shumë kohë?”.

Megjithatë Maliqi thotë se nuk do që të spekulojë pa u zbardhur marrëveshja në mes Bllokut dhe VV-së, derisa vë në pyetje rolin e Albin Kurtit në udhëheqjen e dialogut me Serbinë.

“Çështja kyçe është kjo: a i ka pranuar LAN-i kushtet e VV-së? Ose, më direkt, a është e vërtetë se bisedimet me Serbinë tash e tutje do të drejtohen nga Albin Kurti? Kuptohet, pa e zbardhur përmbajtjen e marrëveshjes është vështirë të spekulohet mbi rrugën e tejkalimit të ngërçit. LAN-i ndoshta i ka keqkuptuar ambasadat perëndimore kur ato thanë se nuk do të përzihen në zgjidhjen e ngërçit. Sepse ato kanë thënë edhe diçka tjetër me rëndësi, se procesi i dialogut me Serbinë ka qenë i suksesshëm dhe duhet të vazhdohet patjetër. A e ka parasysh këtë marrëveshja LAN – VV, apo me instalimin e Albin Kurtit shef të dialogut po na ofron dy parime radikalisht të kundërta: 1. rishqyrtimin ose revizionin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, dhe 2. ndryshimin thelbësor të formulës së dialogut”, thotë ai.

Maliqi ka rikujtuar rëndësinë e dialogut me Serbinë përballë faktorit ndërkombëtar, duke theksuar për pasojat e mundshme që mund të ndikonin në prishjen e raporteve në mes të Kosovës dhe Perëndimit.

“A është e mundur që në LAN nuk kanë qenë të vetëdijshëm se çfarë hendeku po na hapet në raportet me faktorët ndërkombëtarë, të cilët dialogun e konsiderojnë investim kryesor të tyre jo vetëm për avancimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës por edhe të stabilitetit dhe sigurisë së rajonit? Sepse, nuk ka dyshim se platforma botërisht e njohur e Albin Kurtit që çon drejt bllokimit të dialogut, jo drejt avancimit të tij. Pra, shtohet pyetja: a është Qeveria e mundshme Haradinaj e gatshme për ta bërë një hap të obstruksionit esencial të dialogut duke rrezikuar ftohjen dhe prishjen e marrëdhënieve të Kosovës me Perëndimin? A janë llogaritur pasojat imediate dhe ato më afatgjate?”, tha Maliqi.

Megjithatë, ai supozon edhe një tjetër arsye për afrimin e LAN-VV:

“Tani që po spekuloj, le të më lejohet të supozoj se ka edhe një rrugë tjetër për arsyetimin e afrimit të LAN-it me VV-në, që nuk paragjykon pasojën që e përmenda. Teorikisht, nuk do të duhej të përjashtohej mundësia që VV-ja në të vërtetë ka hequr dorë nga kushtet që kanë të bëjnë me dialogun, por publikisht ende nuk po e pranon këtë. Për më shumë, është e mundshme që edhe Albin Kurti ka përjetuar një ndryshim radikal të të bërit salto-mortale në politikën e tij të derisotme. Supozimi është se ai tani e tutje do të shndërrohet në protagonist dhe bartës të procesit kundër të cilit ka qenë që nga fillimi (Jo Negociatat! Jo dialog me Serbinë!). Madje është e mundshme, edhe pse jo shumë e besueshme, që Kurti i ka bindur edhe faktorët ndërkombëtarë se nuk është më i njëjti që ka qenë deri më sot”, supozon Maliqi.

“Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë për zbardhjen e misterit të marrëveshjes. Të shohim nesër dhe pasnesër a do të dalin drejtuesit e LAN-it në tavolinën ku do të duhej ta firmosnin marrëveshjen me VV-në. Apo do të përsëritet mëngjesi i 17 korrikut, sepse e gjitha është një blof i radhës”, ka thënë në fund Maliqi për Indeksonline.