Lamtumirë Sylë!

Dua ta kujtoj intervistën që Syla e bëri me mua.

Opinion

12/09/2020 16:22

Shkruan: Halil Matoshi

Kolegu nga RTK, gazetari veteran Sylejman Gashi, mbylli sytë përgjithmonë.
Korrespodenti i RTK-së në SHBA, pati pësuar një sulm kardiak gjatë një udhëtimi pune në qytetin Salt Lake City në Utah.

Gashi ishte nga ajo dorë gazetarësh hijerëndë, që e kaluan klasën shembullore, sidomos vitet e stuhishme ‘90.

Dua ta kujtoj intervistën që Syla e bëri me mua, pas daljës nga Kampi i Përqëndrimit “Zabela” të Požarevac-it (Serbi), në mars 2000, kur nga emocionet e forta për shumë bashkëvuajtës të mi, që kishin mbetur andej, në tokën armiqësore serbe, më zihej fryma dhe më përloteshin sytë!?

Mezi flisja.

E ndaj me lexuesit, me kët? rast edhe një detaj, të cilin kurrë nuk ia kam thënë askujt, e që më pati prekë thellë.
Syla përpiqej ta mbante ekuilibrin si profesionist i zoti, t’i përballonte tregimet plot tmerr, derisa dhjeta familjarë thërrisnin Redaksinë e RTK-së për të mësuar nëse të dashurit e tyre ishin gjallë dhe nëse i kisha takuar, një ish operativ i Sigurimit Shtetëror, i cili, vet i treti më kishte “kidnapuar” në pikë të ditës e në Qendër të Prishtinës (afër ish Pallatit të Shtypit) sëbashku me Hysen Gashin, që tashmë ishte rehatuar si azilant diku në shtetin gjerman, po më provokonte në linjë telefonike, me pretendimin se nuk ishte aq zor në burgjet e Serbisë, derisa sipas UDB-ashit shqipfolës, (i njohur për mua) na qenkëshin lejuar madje edhe telefonat mobilë!?

Pra, sipas tij, ishim njerëz të “zhytur” në lukse!?
Derisa pos dhunës mizore, ishim sprovuar edhe me uri e etje përmanente.

Më pat ra njëfar vetëtime syve, pastaj më ishin terratisur, me çfarë lehtësie të padurueshme ai burrë i lig, më mbushte mllef derisa unë, ushtroja faljën!?

Por, Syla, si profesionist i shkathtë, me elokuencë e tejkaloi situatën duke e lënë provokatorin në mjerimin e tij fodull!

Lamtumirë Sylë, lajmës furtunash, pusho i qetë në paqen e pasosun!
Gajret familjës, miqve e kolegëve.
Dritë të pastë shpirti!