Lamtumirë Kandidaturë
Besnik Tahiri thotë se më nuk do të kandidojë për Prishtinën. Ai deklaron se nuk është çështje egoje, por thjesht kjo ishte çka kishte për të ofruar ai.

Lajme
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për zgjedhjet e ardhshme lokale duhet të gjejë një kandidat të ri për Komunën e Prishtinës.
Besnik Tahiri ka vendosur që të mos garojë më në Kryeqytet, pas humbjeve që ai përjetoi në dy palë zgjedhje lokale.
Hera e tretë, për të, nuk do të ekzistojë.
Tahiri ka thënës e arsyeja që nuk do të kandidojë më është se ai kishte prezantuar programin e tij, por qytetarët nuk e kanë përqafuar atë, andaj ai pranon vullnetin e qytetarëve.
“Nuk do të kandidoj më, jo për shkak të egos apo ndonjë elementi tjetër, por për shkak se nuk ka se çka t’i ofroj më Prishtinës, krejt çka kisha i kam dhënë.”
“Unë gjatë 10 muajve, së bashku me ekipin tim, kam qenë i përkushtuar që të ofroj maksimumin për të dhënë një ofertë programore dhe cilësore, e cila është profesionale dhe për synim ka pasur ndryshimin në Prishtinë”.
“Kjo ofertë nuk është përqafuar nga qytetarët. Por, i përgëzoj dhe falënderoj qytetarët për dalje masive në zgjedhje, sepse zgjedhjet janë verdikti i vendit dhe të gjithë i nënshtrohemi”.
“Nuk jemi të zhgënjyer me faktin se a kemi punuar apo jo, por nuk kam më shumë se çka t’i jap këtij qyteti përveç ofertës që e kam pasur, vendimi është i tyre dhe këtë e pranojmë”.
“Oferta që unë e kam prezantuar nuk është përkrahur dhe si rrjedhojë ajo ka rënë. Qytetari i Prishtinës do të vendosë se kush do të fitojë në Kryeqytet”.
Për Besnik Tahirin është hera e dytë që po kandidon nga radhët e AAK’së për të parin e Prishtinës. Gjithsesi ai tha se ndihet krenar për atë se çka u ofroi qytetarëve.
“Nuk kthehemi më mbrapa, por ne do të bëjmë një vlerësim mbi rezultatet dhe mbi atë që ka ndodhur”.
“Unë edhe ekipi im jemi krenar me atë që i kemi ofruar këtij qyteti, por nuk jemi të kënaqur me rezultatet, e për këtë do të bëjmë vlerësim”.