LajmiVOX: Sjelljet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në sytë e qytetarëve (Video)

Situatat e pa këndshme  të diskutimeve dje ndodhën në seancën e jashtëzakonshme për vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajme

28/10/2016 17:33

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nuredin Lushtaku, është afruar me nervozë te foltorja e Kuvendit, ku ishte duke folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Lushtaku ka mësyrë deputetin Konjufca, pasi që ky i fundit provokoi rëndë duke lexuar një ‘citat’ të ish kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.

Për krejt këto skena të pa këndshme që po ndodhin në Kuvendin e Kosovës flasin qytetarët në rubrikën e përditshme LajmiVOX.

Qytetarët thonë se sjelljet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës e kan kaluar cdo limit të mirsjelljës. Ata madje  shprehen se sjelljet e tyre ngjasojnë me sjellje të fëmijëve.

“Është një lëmsh që nuk po ju gjendet fija”, tha një qytetar

“Ata në vend me u marrë me ish ushtarët  dhe me ja rregulluar situatën e tyre. Ata mirën me njëri tjetrin. Secili politikan që del premtime jep dhe asnjë punë nuk bënë. Kjo është tmerr. Ushtari i luftës në UÇK-së ka luftuar, ka qenë në gjendje me i dhanë gjymtyrët e veta, e këta sot nuk janë në gjendje mi mbrojt ata. Ne kemi hekë shumë prej serbëve. E tash në vend që me u rregulluar shteti, ata i marrin pozitat e veta dhe nuk qojnë proceset përpara”, tha një qytetar.

“Shumë dobët janë sjell deputetët në Kuvend. Janë sjell si fëmija. Papjekuri politike. Po veprojnë pa vetëdije. E kanë bastarduar edhe funksionin e kuvendit. Nuk më ka pëlqyer asnjëra palë, asnjëri grup parlamentar. Kanë qen shumë të dobët. Nuk kanë qen në nivelin e institucionit të lartë të vendit. Duhet me u mbajt  zgjedhje të reja”, u shpreh një qytetar.

“Kuvendi nuk e ka të drejtën të përzihen në gjyqësor. Nuk është hera e parë. Në shumë gjëra po përzihet kuvendi ku nuk e ka vendin”, tha një qytetar.

“Në përgjithësi duhet me gjet një gjuhë të përbashkët politikanët. Të gjithë po flasim një gjuhë. Duhet mu kuptuar”, tha një qytetar tjetër. /Lajmi.net/