Burgim të përjetshëm ndaj të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Naser Pajazitaj, është dënuar me burgim të përjetshëm, pasi është shpallur fajtor për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Lajme

25/03/2019 15:11

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga kjo Gjykatë.

“Të pandehurin N.P, gjykata e ka shpallë fajtor dhe i ka shqiptuar dënim me burgim në të përjetshëm. Të njëjtit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues konfiskimi i armëve dhe fishekëve dhe është urdhëruar shkatërrimi i tyre”, thuhet në njoftim.

I pandehuri është obliguar në pagimin e shpenzimeve të procedurës penale në shumë prej tetëqind (800) €, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej dyqind (200) € si dhe në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej pesëdhjetë (50) €.

Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore juridike janë udhëzuar në kontest civil.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

I pandehuri N.P shpall fajtor për shkak se:

Me datë 09.11.2015, në Bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan, pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, i pandehuri, duke qenë edhe më parë i dënuar për vepër penale të vrasjes së rëndë, me dashje dhe me armë të tipit të panjohur, në mënyrë dinake e ka privuar nga jeta viktimën D. P, me çka ka kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykata deri te kjo gjendje faktike erdh pas nxjerrjes së provave të reja që kanë munguar më parë dhe se këto prova të reja në lidhshmëri me prova të tjera e dëshmojnë se i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /Lajmi.net/