Të Infektuar: 17.263

Të Shëruar: 14.836

Të Vdekur: 657

Lajmërohet Haki Abazi: Qeveria Hoti paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe ekzistencën e shtetit

22:57 | 20 Shtator 2020

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi po vazhdon të adresojë kritika ndaj qeverisë së drejtuar nga ish-partneri i koalicionit, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryeministrit Avdullah Hoti.

Ai në një shkrim të radhës në Facebook ka akuzuar Qeverinë Hoti se është jo legjitime dhe po tregohet inferiore ndaj Serbisë.

Madje thotë se Qeveria Hoti paraqet edhe rrezik për sigurinë kombëtare dhe ekzistencën e vet shtetit të Kosovës.

Postimi i plotë i Abazit, pa ndërhyrje:

Trojet janë tkurrur historikisht, resurset janë marrë, muhaxhirëve u janë harruar dhimbjet, viktimave të luftës së fundit u është ndalur zëri, patriotet janë vrarë, gazetarët janë eliminuar e janë harru, është shitë “dushk për gogla”, dhe kjo ka ndodhur sa herë që kemi pasur njerëz të ligë në krye, e njerëz pa legjitimitet qytetar.

Krimi dhe gjenocidi serb nuk mundet të barazohet kurrë me sakrificën sublime për liri dhe pavarësi. Historia e krimit nuk mund të bashkëjetojë në një fjali me historinë e heroizmit dhe kontributit të gjeneratave të kombit tonë.

Kjo qeveri jo legjitime dhe këta njerëz të pa kurriz e inferior ndaj Serbisë janë rrezik për sigurinë kombëtare dhe ekzistencën e shtetit. Njëra palë është fosil i sistemit jugosllav e tjetra është mashë e agjendës serbe në Ballkan. /Lajmi.net/