Lajm i madh për basketbollin kosovar, KB Peja po kthehet

Ish-presidenti i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegu ka dhënë një lajm të madh në lidhjen me basketbollin kosovar.

Sport

08/09/2019 22:06

Belegu ka shkruar në llogarinë e tij personale në Facebook se FIBA dhe FBK do të marrin vendim për rikthimin e KB Pejës.

Sipas tij, KB Peja do rikthehet direkt në Superligë – në mënyrë që t’i kthehet hijeshia e moçme basketbollit vendor, raporton lajmi.net.

Ky është statusi i plotë i Belegut:

”Një lajm super i mirë për sportin dhe basketbollin e Kosovës.

FIBA dhe FBK do ta marrin vendimin për rikthimin e KB PEJA edhe atë direkt në Superligën e Kosovës.

Largimi i KB PEJA nga Superliga vitin e kaluar ka qenë humbje e madhe për të gjithë dhe mu për këtë arsye ky rikthim do të jetë tejet i rëndësishëm jo vetëm për sportin pejan, por në përgjithësi për sportin kosovar.

Ftoj qytetarët e Pejës e sidomos bizneset të solidarizohen dhe përkrahin krenarinë e qytetit të tyre që t’i kthehet shkëlqimi që e ka pasë dikur, duke e shfrytëzuar ligjin e sponzorizimit të aprovuar kohë më parë nga Qeveria e Kosovës.

Urime Pejë!”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se KB Peja ishte shuar së ekzistuari vitin e kaluar për shkak të borxheve të shumta dhe pamundësisë financiare. /Lajmi.net/