Lajm i keq për Skënderbeun, mbetet në fuqi pezullimi 10 vjeçar nga garat evropiane

Shuhet shpresa e fundit e Skënderbeut për të rrëzuar vendimet e institucioneve të drejtësisë sportive (nga UEFA në CAS), që e pezullonin për 10 vite nga pjesëmarrja në kompeticionet europiane.

Sport

12/08/2020 22:27

Sot, klubit korçar i ka ardhur vendimi i Gjykatës Federale Zvicerane, që hedh poshtë rekursin e Skënderbeut, duke konfirmuar vendimin e fundit të dhënë nga CAS.

Njoftimi i Skënderbeut:

“Sot, më datë 12 Gusht 2020, KF Skënderbeu-t ju bë me dije Vendimi i Gjykatës Federale Zvicerane në lidhje me rekursin e kryer ndaj Vendimit të CAS-it datë 12 Korrik 2019.

Pavarësisht argumenteve të pakundërshtueshme të paraqitura në proces, trupa gjykuese e përbërë nga 5 anëtarë, përmes një vendimmarrjeje me shumicë të thjeshtë votash, 3 vota pro dhe 2 kundra, vendosi rrëzimin e rekursit të kryer nga KF Skënderbeu, duke konfirmuar vendimin e mëparshëm të CAS-it.

Në momentin aktual, KF Skënderbeu po shqyrton të gjitha mundësitë për një ankim të mëtejshëm në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, pasi në asnjë mënyrë nuk mund të konformizohet me një vendim i cili, në çmimin tonë, cënon rëndë parimet e të drejtës për një proces të rregullt ligjor. Për këtë, informacione të mëtejshme në lidhje me përmbajtjen e vendimit në fjale do të bëhen publike, pasi të jenë kryer të gjitha vlerësimet e rastit.

Pavarësisht efekteve tejet të rënda që ky vendim ka, KF Skënderbeu do të vazhdojë rrugën e tij drejt arritjes sërish të sukseseve historike të mëparshme, të cilat ende sot shërbejnë si model e frymëzim për futbollin shqiptar. Puna vazhdon!”