Lajçak pritet të mbetet nën ‘hijen’ e Grenellit për dialogun Kosovë-Serbi

Emërimi që pritet të ndodhë i ministrit të Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak si përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për të udhëhequr dialogun Kosovë-Serbi, po shihet si shqetësues për Kosovën. Por krahas saj, sipas njohësve politik, ai pritet të qëndrojë nën ‘hijen’ e përfaqësuesit të ShBA-ve për dialogun, Richard Grenell.

Lajme

24/02/2020 17:51

Ndonëse ende nuk është bërë zyrtare emërimi i Lajçak si përfaqësues i BE-së për dialogun, hulumtuesja në Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Jeta Krasniqi thotë për KosovaPress, se përmes tij, BE-ja duhet të ketë një qasje unike karshi Kosovës.

Sipas saj, duhet garanci dhe angazhim më i madh i BE-së për shtetin tonë, e jo vetëm ofrim i lehtësimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Por përmbyllje të marrëveshjes eventuale dhe përmes saj hapje rrugë të Kosovës drejt anëtarësimit në BE.

“Është e vërtetë zotëri Lajçak ka bashkëpunuar me Kosovën dhe falë tij kemi arritur të kemi marrëdhënie edhe me Sllovakinë, si një shtet jo njohës. Por gjithsesi mbetet shqetësimi që zotëri Lajçak vjen si përfaqësues i një shteti që nuk e njeh Kosovën, siç është e zotëri Borell që nuk e njeh Kosovën…Ajo çfarë neve na duhet nga zotëri Lajçak, apo kushdo që të jetë i emëruari special për Kosovën është që të ketë një angazhim dhe mbështetjen të BE-së. Në fakt që shtetet e BE-së të kenë një qasje unike ndaj Kosovës. Duke e pa që marrëveshja eventualisht që mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë të jetë një marrëveshje që na hap rrugën neve si Kosovë për anëtarësim në BE. Duke zhbllokuar pesë shtetet jo njohëse dhe duke ofruar Koso vës perspektiven evropiane. Kjo është ajo çfarë na duhet neve nga i dërguari i posaçëm. Jo vetëm ofrim i lehtësimit, apo zyrës së mirë. Por garanci më të madhe nga BE, një angazhim më të madh nga BE-ja dhe përkushtim nga BE-ja për Kosovën”, thotë ajo.

Ndërsa, njohësi i rrethanave politike, Faton Abdullahu u shpreh se përkundër që mund të ketë dyshime për diplomatin Lajçak, ato do të relativizohen, nëse ka unitet të plotë në qëndrimet e Kosovës. Derisa thekson nevojën e unitetit edhe të Uashingtonit dhe Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi.

“Edhe nëse ka dyshime dhe hezitime se nuk është njeriu i qëlluar, ato relativizohen nëse ne jemi unik në qëndrime tona. Nëse jemi unik në atë çfarë duam dhe jemi të gatshëm të refuzojmë. Atëherë kushdo që të jetë përfaqësues i BE-së do të jetë ai që do të ketë parasysh qëndrimin e Kosovës…e mira së mirës do të ishte që Lajçak si përfaqësues i BE-së dhe Grenell si përfaqësues i ShBA të jenë unik në qasjen dhe kërkesat e tyre. Në projektet e tyre që kanë të bëjnë me procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Nëse këta nuk janë unik do të jetë problematike. Ngase ne kemi kuptuar deri tani se një mosmarrëveshje dhe mos koordinim mes Uashingtonit dhe Brukselit na hakmerret neve”, thotë ai.

Por krahas saj, Abdullahu thotë se në një formë përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për të udhëhequr dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pritet të mbetet nën hijen e të deleguarit të presidentit Trump për këtë proces, Richard Grenell.

“Është jashtë çdo dyshimi se r oli i Grenellit do të jetë grucial në procesin e dialogut me Serbinë. Aq më shumë mund të thuhet kështu se nga Uashingtoni na vije një zë unik. Një qasje pragmatike dhe e drejtpërdrejtë. Gjë që nuk mund të thuhet se kjo është e njëjta nga Brukseli”, thotë ai.

Prej vendosjes së taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe, dialogu Kosovë-Serbi është stopuar. Përkundër kësaj, në dy muajt e fundit me iniciativën e të deleguarit të ShBA-së, për këtë proces, Richard Grenell janë arritur tri marrëveshje. Ajo për hapjen e linjës ajrore mes dy shteteve, autostradat dhe hekurudhat.