Laboratore tjera private do licensohen gjatë kësaj jave për kryerjen e testeve për COVID-19

29 laboratore private janë licensuar në Kosovë për të kryer teste për COVID-19.

Lajme

10/08/2020 18:08

Licensimi i tyre sipas ministrit Zemaj ka qenë tepër i nevojshëm, teksa ky proces siç ka bërë të ditur ai do të vazhdojë deri në fund të javës, dhe do të ketë shtrirje në të gjithë territorin e Kosovës, shkruan lajmi.net.

Gjithashtu, Zemaj aka thënë se Inspektorati Shëndetësor nesër do të kryejë inspektime në këto institucione të cilave u është lejuar testimi.

Ai tha se ato do të verifikohen në kushtet për punë, kuadrit profesional dhe pajisjeve.

“Nga nesër, Inspektorati Shëndetësor do të kryejë inspektime në institucionet të cilave u është lejuar kryerja e testimeve, për të parë nga afër gatishmërinë e tyre për t’i kryer testimet dhe për t’i verifikuar të dhënat e prezantuara nga këto institucione me rastin e aplikimit dhe dhënies së Deklaratës nën betim për kushtet e plotësuara për kryerjen e testimeve sipas Udhëzimit Administrativ 01/2020 për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ 09/2014, Kushtet për punë sa i përket hapësirës, kuadrit profesional dhe pajisjeve medicinale të institucioneve private shëndetësore jashtëspitalore dhe Udhëzimit Administrativ 02/2020 për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ 06/2015 Kushtet e përgjithshme dhe të veçanta spitalore”, ka shkruar Zemaj.

Postimi i plotë:

Licencimi i institucioneve private shëndetësore për kryerjen e testeve SRS-Cov-2 ka qenë më se i nevojshëm dhe si proces tërësisht do të përfundojë gjatë kësaj jave, me shtrirje në të gjithë territorin e Kosovës.

Deri më tash, Bordi për Licencim të Institucioneve Private Shëndetësore ka shqyrtuar 34 aplikacione (nga mbi 100 sa kanë aplikuar) të institucioneve private shëndetësore, të cilat kanë bërë kërkesa për lejimin e shërbimit të testimeve për SARS-Cov-2. Bordi ka konstatuar se 29 prej këtyre institucioneve i plotësojnë kriteret për kryerjen e testimeve për SARS Cov-2. Prej 29 ISHP të licencuara, 27 do të kryejnë testime serologjike, ndërsa 2 të tjera do të kryejnë testime molekulare (RT-PCR).

Bordi për Licencim të Institucioneve Private Shëndetësore po vijon me shqyrtimin e aplikacioneve të institucioneve private dhe gjatë javës do të publikohen edhe emrat e institucioneve të tjera, të cilave do t’u lejohet kryerja e testeve për SARS-Cov-2.

Nga nesër, Inspektorati Shëndetësor do të kryejë inspektime në institucionet të cilave u është lejuar kryerja e testimeve, për të parë nga afër gatishmërinë e tyre për t’i kryer testimet dhe për t’i verifikuar të dhënat e prezantuara nga këto institucione me rastin e aplikimit dhe dhënies së Deklaratës nën betim për kushtet e plotësuara për kryerjen e testimeve sipas Udhëzimit Administrativ 01/2020 për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ 09/2014, Kushtet për punë sa i përket hapësirës, kuadrit profesional dhe pajisjeve medicinale të institucioneve private shëndetësore jashtëspitalore dhe Udhëzimit Administrativ 02/2020 për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ 06/2015 Kushtet e përgjithshme dhe të veçanta spitalore. /Lajmi.net/