Ky është sqarimi i MASHT-it pas denoncimit që Idrizi i bëri ministrit Bytyqi

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ka dalë me një sqarim publik.

Lajme

06/06/2019 18:21

Ushtruesi i detyrës së drejtorit për Integrime evropiane, koordinim të politikave dhe çështje ligjore në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ferit Idrizi gjatë ditës së sotme e ka denoncuar ministrin, Shyqiri Bytyqi për kërcënim, shkruan lajmi.net.

Pas publikimit të këtij lajmi, ka reaguar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

MASHT përmes një njoftimi për medie ka sqaruar opinionin publik lidhur me shqetësimet e ngritura rreth pretendimeve të u.d drejtorit të Departamentit të Integrimeve Evropiane, Koordinim të Politikave dhe Çështjeve Ligjore, Ferit Idrizi.

Lexo edhe: 

Ministri Bytyqi kërcënon punëtorin e tij, denoncohet në polici

MASHT të gjitha këto akuza të Idrizit i ka hedhur poshtë duke thënë se janë shpifje.

Madje MASHT, ka deklaruar se do të marrë masat e parapara konform legjislacionit në fuqi.

Njoftimi i plotë pa ndërhyrje:

MAShT sqaron opinionin publik se për shkak të sjelljeve të pahijshme të Idrizit, në takimin e mbajtur dje në zyrën e ministrit Bytyqi, ku prezentë kanë qenë edhe tre zyrtarë tjerë të MAShT, ministri ka qenë i detyruar për të kërkuar nga Idrizi që t’ia lirojë zyrën.

Të gjitha pretendimet e Idrizit, që sot kanë qarkulluar në opinion janë shpifje, si dhe çdo deklaratë e tij se kinse ministri ka kërkuar nga Idrizi të nënshkruaj ndonjë dokument që bie ndesh me ligjin nuk është e vërtetë.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, lidhur me deklaratat e u.d drejtorit të Departamentit të Integrimeve Evropiane, Koordinim të Politikave dhe Çështjeve Ligjore, Ferit Idrizi, njofton se do të marrë masat e parapara konform legjislacionit në fuqi. /Lajmi.net/