Ky është numri i burrave kosovar që fituan statusin e të dhunuarit seksualisht gjatë luftës

Emisioni dokumentar "PASOJË", ka sjellur episodin e dytë me temën "Thirrja e së ardhmes mes zhurmës të së kaluarës", që i kushtohet burrave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë. Me një rrëfim ekskluziv të një ngjarjeje kaq të rëndë dhe trajtim nga prizmi institucional e social.

Lajme

22/05/2022 22:18

Ky i dhunuar seksualisht që rrëfen ekskluzivisht për lajmi.net momentin e tij të tmerrit, trajtimin nëpër mjek, psikolog e profesionistë të tjerë ai e kishte bërë për vite me forca vetanake, pa marrë ndonjë mbështetje direkte nga institucionet. Kjo kishte zgjatur deri në vitin 2014, kur ishte lajmëruar në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ku po vazhdon të ndihmohet në trajtim.

Ndërsa, në Vitin 2017 me vendim të Qeverisë së Kosovës është themeluar Komisioni Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, ndërsa aplikimet e para për njohjen e këtij statusi janë bërë në vitin 2018.

Që nga ajo periudhë e deri në fillim të vitit 2022, 1,645 persona kanë aplikuar për ta fituar këtë status, rrjedhimisht edhe për të fituar mbështetje financiare në vlerë prej 230 eurove në muaj.

Leonora Selmani, nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale Gjatë Luftës për lajmi.net ka thënë se kanë mijëra aplikime për të përfituar statusin e personit të dhunuar në luftë.

“Dhe, kur them aplikime në total, nuk janë të gjitha, janë vetëm si aplikime. Prej tyre janë të shqyrtuara, të trajtuara në fakt, 1,405 aplikime janë në pritje edhe 240 prej tyre. Të aprovuara në total janë 1,120, ndërsa të refuzuara janë 228 aplikime. Kemi gjithashtu në kuadër të këtyre aplikimeve që e përmendëm, kemi edhe raste që presin për t’u intervistuar dhe raste të cilat janë jashtë vendit për të cilat kanë kërkuar që na t’iu japim afatin e duhur, kohën e duhur për të ardhë në intervistë.”, thotë ajo.

Nga ky numër i përgjithshëm i aplikimeve, 1,316 janë gra, ndërsa vetëm 90 burra kanë kërkuar që ta fitojnë këtë status.

“50 prej tyre janë të aprovuara, iu është njohur statusi i personit të dhunuar gjatë luftës, ndërsa 32 prej tyre të refuzuara. Gjithmonë, kur themi janë të refuzuara, vetëm ato që janë të aprovuara përfundojmë procesin me to sepse, sipas legjislacionit që e kemi në fuqi dhe rregullores me të cilën ne punojmë, palët kanë të drejtë në qoftë se konsiderojnë që nuk është marrë veprimi në favor të tyre dhe ato mund të kenë ndonjë dokument tjetër shtesë, i cili dokument do të mund ta ndryshonte bindjen e Komisionit se pala ka mund ta përjetojë dhunën seksuale apo jo, kanë të drejtë t’ia bashkangjesin në ndërkohë Komisionit. Dhe, kjo shkon në shkallën tjetër, që i bie kërkesë për rishqyrtim, sepse legjislacioni thotë kërkesë për rishqyrtim; do të thotë kur ka diçka shtesë e cila do ta obligonte Komisionin me e rishqyrtu edhe njëherë, me e pa edhe njëherë. Dhe ka raste kur Komisioni vendos, pavarësisht dokumenteve që ata i kanë sjellë, vendos që palën ta ftojë në intervistë. Kjo nuk është gjithmonë, do të thotë nuk ftohen të gjitha palët në intervistë, por varësisht prej situatës dhe prej rasteve sepse janë shumë unikate dhe ka raste kur vetë palët dëshirojnë thjesht të jenë pjesë e intervistës. Në momentin kur vendoset që pala të jetë prezent, të vjen në intervistë, gjithmonë për t’u ruajtur vetë pala, për t’u ruajtur personi dhe me e respektu parimin e mos-bërjes dëm, Komisioni ka vendos që të mos intervistohet nga të gjithë anëtarët e Komisioni por të punojë në përbërje më të vogël dhe në këtë rast janë vetëm tre anëtarë të Komisionit, të cilët e intervistojnë palët. Por, këta tre anëtarë të Komisionit, kuptohemi, nuk janë ata që vendosin, sepse prapë diskutohet në Komision dhe merret me shumicë votash vendimi. Por, ata janë persona që intervistojnë palën dhe shohin nga për së afërmi palën edhe rastin që pala e ka pasë, e prezanton para këtyre tre anëtarëve.”

Ngjarjen e tij të dhunimit seksual, para këtij komisioni e ka dëshmuar edhe ky 57 vjeçar, i cili tashmë gëzon benefitet që i ofron ky status.

“E kom dëshmu gjithkund, gjithkund. S’kom pasë të vështirë kurrgjë. Me kënaqësi bile, bile vonë i kom njoftë këta, jam shku edhe në shumë shoqata të tjera. Jo, jo unë s’jam nalë kurrë, paralufte maslufte, nuk kom lanë institucion shtetëror, gjithçka ku mu ka kërku, hetues, policë, gjithçka unë kom bashkëpunu me ta me tregu rastin e vërtetë që më ka ndodh. Për me e thy stigmën. Se na si shoqëri nuk i besojmë njëri-tjetrit. Unë kom dashtë atë me e tregu mu çka më ka ndodh. A jam i kjartë a po më kupton? Për qatë, unë kurrë nuk jam ndalë, absolut… Unë kam bashkëpunu edhe me hetues vendor, edhe me policinë, për me i bind, me e përçua statusin tem, me te besu. Se na e patëm rastin e veteranëve. Shumë shqiptarë, shumë mashtrues veteranë maslufte, a po kupton? E unë nuk kam dashtë ashtu.”

Komisioni qeveritar për njohjen e këtij statusi, u jep mundësi personave të dhunuar që aplikimin ta bëjnë përmes katër organizatave të certifikuara, përmes përmes zyrave regjionale, që janë Departamenti për Familjen e Dëshmorëve apo direkt në sekretariatin e komisionit.

“Gjithsesi, bazë kryesore është formulari që ata e kanë dhe në bazë të cilit ata do duhej ta plotësojnë. Por, nëse e shohim formularin, i cili është edhe pjesë e rregullores, specifikohet që ata e dhënë emrin dhe mbiemrin në formular, e dhënë numrin personal, e dhënë vendin ku ka ndodh ngjarja, e gjëra të tjera të cilat janë pjesë e këtij formulari dhe të cilat janë vetëm për Komisionin dhe jo për të tjerët. Por, e ka edhe një pjesë tjetër, por që nuk është obligative, gjithmonë të kuptohemi. Në qoftë se kanë dokumente të tjera të cilat do të mund ta mbështesnin pretendimin e tyre se ngjarja mund të ketë ndodhur, me i bashkangjitë. Dhe, në këtë rast mund të jenë dokumente shëndetësore, dokumente juridike, mund të jenë edhe foto, mund të jenë dokumente të tjera. Por, kjo assesi nuk duhet të keqkuptohemi. Nuk duhet me ndodhë që në qoftë se pala nuk i ka këto dokumente, të mos aplikojë fare, sepse nuk paska dokumente shtesë. Këto janë thjesht për me ia plotësu pretendimin e tij, që ngjarja ka mund të ndodh, do të thotë vetëm me e plotësu atë që ai e thotë, që ne i themi storie, do të thotë tregimin që ai e tregon për ngjarjen e vetë. Por, ka shumë raste që mund ta kenë vetëm ngjarjen, sepse vetëm atë e ka dhe nuk ka dokumente. Komisioni është shumë i vetëdijshëm, sepse na e lejon një gjë të tillë edhe ligji, që ai mund ta ketë vetëm ngjarjen. Dhe, janë shumë raste të ndryshme, nuk mundemi asnjëherë me i krahasu dhe me pasë njëfarë standarde me thanë: Të gjithë këta që nuk e kanë këta ose ata do t’iu anulohet… refuzohet ose të gjithë ata që e kanë këta do të pranohen. Domethënë rastet janë shumë individuale dhe Komisioni vendos në cilësinë e ekspertëve për çdonjërin rast veç e veç. Dhe, i jep çdonjërit rast kohën e duhur. Mund të merr kohë disa herë me u shqyrtu një aplikacion, iu jepet gjithmonë mundësia që në ndërkohë të sjellin dokumente shtesë, nëse kanë ajo që thashë kërkesa.”

Vlerësimi për të marrë statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës bëhet nga nënanëtarë e anëtarë sa ka komisioni, ku në mesin e tyre është edhe psikologu dhe psikiatri.

“Ata edhe e udhëheqin panelin intervistues. Jo rastësisht është vendos kjo dhe pse nuk e kemi të specifikuar një gjë të tillë në rregullore, për shkak të respektimit të këtij parimit që thashë më herët të mos-bërjes dëm, sepse konsiderohet që këta janë ekspertë të fushës edhe pse edhe të tjerët janë ekspertë në fusha të ndryshme. Por, këta do të duhet të jenë me përqasje më të mirë ndaj viktimave. Dhe, ne gjithsesi edhe në rastet kur palët janë pjesë e intervistës, unë i ftoj të gjithë me apliku, në qoftë se kanë qenë viktima të dhunës seksuale, sepse ne ju garantojmë konfidencialitetin e plotë. Absolutisht, gjithçka që vjen në Komision, mbetet në Komision dhe jemi shumë të vetëdijshëm që një gjë e tillë nuk duhet të bëhet publike. Për më tepër që, palët edhe në momentin kur iu njihet statusin nuk dallojnë nga viktimat tjera. Do të thotë, atyre nuk iu shkrun që janë viktima të dhunës seksuale. Iu njihet ose nuk iu njihet statusi dhe, si rezultat i njohjes ose mos-njohjes së statusit, kur lëshohet një vendim nga ana e Komisionit, ata e marrin këtë shumën prej 230 eurove nëse janë në rregull. Me shifrat nga, si pension personal në këtë rast, i cili nuk trashëgohet, nuk bartet tek të tjerët, sepse është personal, vetëm për viktimën. Dhe, edhe në këto raste, ata konsiderohen se janë viktima civile dhe absolutisht nuk vërehet askund, as nuk shënohet askund që ai është viktimë i dhunës seksuale gjatë luftës.”

Duke qenë se jo të gjithë aplikuesit arrijnë të fitojnë statusin, të gjithë ata që refuzohen kanë mundësi  të kërkojnë rishqyrtim apo të ndjekin të gjitha shkallën deri në gjykatë.

“Po. Në qoftë se pala ka pasë ankesa, ka bërë kërkesë për rishqyrtim në fakt, se nuk është ankesë, është kërkesë për rishqyrtim, të cilën Komisioni prapë e merr dhe e sheh a ka ndonjë dokument tjetër që do duhej me u trajtu edhe një herë apo jo. Në qoftë se Komisioni ka vendos përfundimisht dhe e ka refuzu, pala ka të drejtë, sepse rregullorja ia lejon një gjë të tillë, t’i drejtohet gjykatës. Ka pasë raste kur iu kanë drejtu gjykatës, dhe mandej, gjykata vendos jo për rastin por për procesin, për procedurën. Ka pasë edhe raste kur janë kthy nëpër rishqyrtim, prapë në Komision. Do të thotë prapë vinë në Komision për rishqyrtim. Por, kjo nuk ia ndalon palës asnjëherë me vazhdu deri në shkallë të tjera të gjykatës dhe me e realizu të drejtën e vetë, nëse pretendon se ka të drejtë, gjithsesi.”. /Lajmi.net/