Ky është ekipi i Hashim Thaçit
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, e ka kompletuar ekipin e tij të ri të punës. Ai ka emëruar këshilltarët e tij dhe përmes një njoftimi zyrtar janë informuar personeli dhe ambasadat e Kosovës, përfaqësitë diplomatike dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare të akredituara në Kosovë.

Lajme
Nga burime brenda njërës prej ambasadave të Kosovës në rajon, KosovaPress mëson se shef të kabinetit, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, e ka emëruar përsëri Abelard Tahirin, ish-shefin e deritashëm të stafit të tij. E pos Tahirit, ai i ka riemëruar si këshilltarë edhe shumicën e këshilltarëve nga mandati i kaluar.
Postin e këshilltarit për marrëdhënie bilaterale, Thaçi ia ka besuar ish-aktivistit të shoqërisë civile, Ardian Arifajt.
Organizatat ndërkombëtare dhe diplomacinë ekonomike ia ka besuar ish-këshilltarit të Sali Berishës dhe njohësit të proceseve politike rajonale, Adri Nurellarit, që ishte këshilltar i tij edhe në mandatin e kaluar. Ndërsa, për protokollin e Thaçit, do të vazhdoj të përkujdeset ai që është përkujdesur gjatë gjithë këtyre viteve, Edi Sejdiu. Gjithashtu, postin e këshilltarit të Thaçit e ka trashëguar edhe Ismail Syla, i cili i ka shërbyer atij edhe në të kaluarën.
Por, përpos këshilltarëve nga mandati i kaluar, Thaçi ekipin e tij e ka rifreskuar edhe me këshilltarë të ish-ministrave të tij.
Për të mbuluar punën me media, këshilltar e ka emëruar Adil Behramajn, i cili ishte këshilltar dhe zëdhënës për media edhe i ministrit të Bujqësisë në mandatin e kaluar.
Kurse, Pëllumb Kallabën dhe Muhamet Brajshorin, ish-këshilltarët e Enver Hoxhajt, i ka riemëruar dhe angazhuar përsëri në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Njërin si këshilltar për marrëdhëniet me NATO’n e organizatat e sigurisë dhe tjetrin për njohjet e shteteve.
E për ta ndihmuar me këshilla ligjore, e cila është njëra prej fushave më të ndjeshme, Thaçi për këshilltar ligjor ka zgjedhur Robert Muharremin.
Kosovapress mëson se nga ky ekip, i cili do ta mbështes Thaçin edhe në punën e zëvendëskryeministrit të parë në Qeveri, por edhe në atë të ministrit të Jashtëm, gjashtë prej këshilltarëve të tij janë politik.