Kuvendit i dërgohen 4 kandidatë për Avokat të Popullit
Veton Vula, Mazllum Baraliu, Shqipe Ibraj-Mala dhe Suzan Novobërdali do të jenë në garë për tu përzgjedhur në pozitën e Avokatit të Popullit.

Lajme
Kështu kanë vendosur sot anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme shqyrtoi Raportin e Panelit rekrutues për përzgjedhjen e kandidatëve për Avokat të Popullit.
Kryetarja e komisionit, njëherësh kryesuese edhe e Panelit intervistues, Lirije Kajtazi, tha se deri më tani procesi ka qenë transparent dhe pa ndikime politike. Ajo po ashtu njoftoi se në garën për Avokatin e Popullit kanë qenë 21 kandidatë, ndërsa 19 prej tyre janë paraqitur në intervistë.
Sipas vlerësimit të panelit, kandidatët e vlerësuar me më së shumti pikë janë: Veton Vula-88, Mazllum Baraliu-79, ndërsa kandidatët: Shqipe Ibraj- Mala dhe Suzan Novobërdali, janë poentuar me nga 78 pikë.
Ndonëse Ligji dhe Rregullorja për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit parashohin që Kuvendit t’i propozohen vetëm tre kandidatë, kryesuesja e panelit propozoi që për procedim të mëtejmë të mbeten katër kandidatë.
Këtë propozim ajo e arsyetoi me faktin, se dy nga kandidatët kanë marrë poena të barabartë. Propozimi u përkrah unanimisht nga anëtarët e komisionit.