Kuvendi shpenzoi 107 mijë euro vetëm për dreka

Kuvendi shpenzoi 69 mijë euro vetëm për mëditje, ndërsa për telefona mbi 84 mijë euro. Driton Selmanaj nga KDI thotë se kjo legjislaturë përfundimisht është prej më të dobëtave që ka pasur Kosova ndonjëherë,

Lajme

02/03/2014 08:29

Deputetët e Kuvendit të Kosovës për një vit, prej janarit deri në dhjetor të vitit të kaluar, kanë bërë shpenzime të mëdha në dreka zyrtare, telefona, udhëtime jashtë shtetit, si dhe në mëditje.

Sipas dokumentit të shpenzimeve, të cilin e ka siguruar gazeta “Kosova Sot”, vetëm për dreka i kanë shpenzuar më shumë se 107 mijë euro, ndërsa për telefona mbi 84 mijë euro. Shpesh kemi parë se deputetët, si të pozitës ashtu edhe të opozitës, i kanë bojkotuar seancat, mirëpo këtë nuk e kanë bërë kur është fjala tek udhëtimet zyrtare jashtë shtetit dhe mëditjet për ato udhëtime.

Vetëm për mëditjet për udhëtime jashtë shtetit deputetët i kanë shpenzuar 69,469.05 euro, ndërsa për akomodim gjatë udhëtimit zyrtar jashtë vendit i kanë përfituar 21.910.37 euro.

Kuvendi për bileta të deputetëve nga buxheti i Kuvendit të Kosovës i ka paguar 65,204.28 euro.

Ndërsa, brenda vendit deputetët i kanë shpenzuar për një vit për akomodim dhe për udhëtimet mbi 6 mijë euro. Ata 35 mijë euro i shpenzuan për kompjuterë. Paga dhe mëditje për një vit i kanë shpenzuar mbi 3.2 milionë euro dhe jo më pak nuk ka shpenzuar edhe Administrata e Kuvendit.

Për paga dhe mëditje i kanë marrë mbi një 1.4 milion euro, ndërsa për telefona fiks kanë i shpenzuar mbi 51 mijë euro, kurse për telefona mobilë 15 mijë euro për një vit. Administrata i ka shpenzuar mbi 61 mijë euro për udhëtime zyrtare jashtë vendit, për dreka zyrtare mbi 2 mijë euro, ndërsa për akomodim gjatë udhëtimit jashtë administrata e Kuvendit ka shpenzuar mbi 12 mijë euro.

Gjithsej administrata e Kuvendit ka shpenzuar një buxhet mbi 3.3 milionë euro.

Ndryshe, analisti i KDI-së, Driton Selmanaj, thotë për “Kosova Sot” se kjo legjislaturë përfundimisht është prej më të dobëtave që ka pasur Kosova ndonjëherë, e cila ka dështuar pothuajse në gjitha kuptimet në ushtrimin e funksionit.