Kuvendi sërish debaton për UP’në

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të martën të vazhdojë seanca e mbetur për rekomandimet e partive opozitare që kanë të bëjnë me Universitetin e Prishtinës. Pas zhvillimeve të fundit, rekomandimet pritet të riformulohen.

Lajme

10/02/2014 12:14

Çështja e Universitetit të Prishtinës do t`i kthehet arenës së Kuvendit ditën e martë.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seanca e ndërprerë e së premtes të vazhdojë nesër, ku si pikë e parë do të jenë rekomandimet e propozuara, që me gjasë do të ndryshojnë, sidomos pas dorëheqjes së Rektorit Ibrahim Gashi.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se problemet në UP kanë filluar të zgjidhen.

“Zgjidhja ka filluar të ndodhë për Universitetin. Rekomandimet janë nesër dhe ato rekomandime shpresojmë që miratohen, pasi që pika ku Grupet Parlamentare nuk kanë qenë dakord është hequr thuajse nga rendi i ditës”.

“Çështja e hulumtimit të titujve shkencorë, konsiderojë që duhet të jetë çështje e një trupi të veçantë akademik dhe ajo duhet të jetë e përhershme”.

Ndërsa Shefi i Grupit Parlamentar të PDK`së, Adem Grabovci, është shprehur se do t`i përkrahin rekomandimet nëse qëndrimet harmonizohen.

“Nëse i harmonizojmë qëndrimet, do të jemi për dhe do t`i përkrahim. Nuk jemi kundër marrjes së masave në Universitetin e Kosovës, sepse ka nevojë dhe duhet vërtet që të shkohet deri në fund, por nuk jemi që të bëhet zhurmë”.

Kryetari tjetër i GP  të LDK`së, Ismet Beqiri, ka thënë se çështja e rekomandimeve për Këshillin Drejtues duhet të riformulohet.

“Zhvillimet e fundit kanë bërë që realisht pika e parë ose duhet të hiqet tërësisht dhe pjesa që ka të bëjë me Këshillin Drejtues duhet të riformulohet diçka tjetër. Nuk po paragjykoj, kjo mbetet të shihet.”

“Ne asnjëherë nuk e kemi kontestuar që Këshilli Drejtues është organ i paraparë me statut, kështu që ai ekziston si i tillë, por se si do të bëhet më tutje mbetet të shihet nesër pas dakordimit që do të bëhet me kolegët e Grupeve Parlamentare opozitare, por nëse janë dakord edhe të pozitës”.

Ardian Gjini nga AAK ka thënë se është mirë që ka dhënë dorëheqje Rektori Gashi.

“Nuk është mirë që janë vonuar për shkak se vetëm sa e kanë komplikuar edhe më tepër punën që është dashur të ndodhë”.

“Nuk mendojmë se ky është fundi i problemeve në Universitet, aty ka probleme edhe tjera. Tani shoqëria kosovare studentët dhe Universiteti nuk duhet të ndalen me kaq”.

Ndërsa për Kryetarin e GP të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, është mirë që të hapet një proces i reformimit të UP`së.

“Konsideroj që ka qenë një gjë shumë e mirë që studentët e bashkuar kanë arritur qëllimin e tyre të parë, dorëheqjen e Rektorit të UP`së, edhe pse jemi të vetëdijshëm që vetëm dorëheqja e tij nuk mjafton për ta sanuar gjendjen në Universitetin e Prishtinës”.

“Është hapi i domosdoshëm për ta hapur një proces  të reformimit të Universitetit dhe largimit të duarve partiake nga ky universitet”

Dorëheqja e Rektorit duket se e ka gëzuar edhe shefen e GP`së së AKR`së, Mizejene Selmani.

“Fatbardhësia e kësaj është që vet Rektori dha dorëheqje. Shpresoj shumë që Universitetit i Prishtinës nuk do të jetë më në duart e politikanëve, pavarësisht cili subjekt politik e udhëheq Qeverinë”.