Kuvendi nuk mblidhet, sepse u jepet kohë partive

Kuvendi i Kosovës ka shtyrë edhe për disa ditë thirrjen e seancës së parë për sesionin e ri, duke u lënë mundësi krerëve të partive të gjejnë një zgjidhje për krizën politike, në tryezën e organizuar nga Presidentja Atifete Jahjaga.

Lajme

09/02/2016 20:49

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti dekalroi se brenda afatit kushtetues do të mbledhin Kryesinë, për të caktuar edhe seancën për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Në momentin që do të shihet më e përshtatshme, ne do të thërrasim seancën. Në të dihet se çfarë do të miratohet. Kemi një varg ligjesh dhe çështjesh, që duhet të diskutohen dhe miratohen. Kuptohet që në proces e sipër është edhe zgjedhja e Presidentit”, tha Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, raporton top channel, transmeton lajmi.net.

Thirrjen për gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut, e ka përsëritur edhe gjatë së martës ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie.

“Ne po presim nga ju, që ta çoni vendin përpara në rrugën e tij drejt integrimit euroatlantik, për të demonstruar se qeveria po punon për qytetarët dhe për të treguar se, ndryshimi mund të ndodhë edhe nga brenda, por pa dhunë në rrugë apo në Kuvend”, tha Greg Delawie, ambasador i SHBA-ve në Kosovë.

Presidentja e Kosovës është duke bërë përpjekje të tjera, që të ulë sërish në tryezën e bisedimeve udhëheqësit e partive politike, nga pozita dhe opozita, por ende nuk u ka dërguar atyre ftesat zyrtare./lajmi.net