‘Kuvendi nesër t’i tregojë Serbisë se e kujt është Trepça’

Kthimi i Trepçës nga ndërmarrje publike në atë shtetërore, ka ngjallur shumë reagime nga Serbia, sa Lista Serbe e cila i merr direktivat në Beograd, paralajmëroi se do të dal nga qeveria e Kosovës nëse ndodhë kjo. Publicisti, Milazim Krasniqi, thotë se nesër Kuvendi i Kosovës, duhet t’i tregojë Serbisë se e kujt është Trepça. 

Lajme

18/01/2015 22:43

Kuvendi i Kosovës, nesër pritet të votojë vendimin e qeverisë së Kosovës, që Trepça të kthehet në ndërmarrje shtetërore. 

Ky vendim si rrallë herë ka edhe mbështetjen e opozitës. Por, jo edhe mbështetjen e partnerit qeveritar, Listës Serbe, e cila vendimet i merr e dirigjuar nga Beogradi.

Publicisti, Milazim Krasniqi, në një koment për ketë temë, në Facebook, ka thënë se Ligji për Trepçën duhet të miratohet, e me këtë edhe t’i tregohet Serbisë fashiste se shteti i Kosovës pa Trepçën pasuri të saj, nuk ka kuptim.   

“Kuvendi i Kosovës nesër e ka rastin e shkëlqyer që t’ia rikujtojë Beogradit fashist se e kujt është Trepça dhe e gjithë Kosova. Miratimi i ligjit për Trepçën mund të bëhet pikë kthese për shtetin tonë, jo vetëm në raport me Serbinë fashiste, po edhe me pjesën hezituese të bashkësisë ndërkombëtare. Edhe asaj bashkësie duhet t’i thuhet troç: nuk mund të jetë Kosova shtet i pavarur, ndërsa Trepça të mos jetë pasuri e patjetërsueshme e saj”, ka shkruar Krasnqi.