Kuvendi me dy seanca të enjten, nuk dihet kur mbahen interpelancat e Hotit
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të enjten të mbahet dy seanca.

Lajme
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se të enjten do të mbahet seancë me pikat e papërfunduara.
Ndërkaq, në ora 11:00 do të mbahet seancë e re, ku do të jenë disa projektligje.
“Përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare do të kemi edhe disa pika tjera të rendit të ditës siç janë: Shqyrtimi i parë i Projektligjit për të Drejtat Pronësore të shtetaseve të huaj në Republikën e Kosovës, debat parlamentar lidhur me problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës dhe komunave të tjera në pjesën veriore të Kosovës lidhur me pengesat që u bëhen për tu kthyer në pronat e tyre dhe pengesat për renovimin e shtëpive të djegura gjatë luftës, zgjedhja e drejtorëve të Bordit të NP KOSTT-it nga radhët e komuniteteve jo shumicë dhe kuotës gjinore, zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave, kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës për miratimin e buxhetit të këtij Komisioni Hetimor”, tha Osmani.
Sa i përket interpelancave të e kryeministrit Avdullah Hoti, Osmani tha se nuk kanë gjetur datë të përbashkët me kabinetin e tij.
“Sa i përket interpelancave me kryeministrin, njëra që ka të bëjë me Liqenin e Ujmanit dhe tjetra që ka të bëjë me trajtimin e dëmshëm të temës së të pagjeturve, që janë shtruar nga deputetë të VV-së. për këto do vazhdojmë komunikimin me kabinetin e kryeministrit që të gjejmë një datë të përshtatshme. Deri tani nuk kemi pas pajtim në datë”, ka thënë ajo. /Lajmi.net/