Kuvendi mban seancë në të cilën do të shqyrtojë tetë projektligje

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbaj seancën plenare në të cilën deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë tetë projektligje.

Lajme

02/03/2017 07:35

Pas kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë Projektligjin për ndërmarrjet sociale, Projekt-kodin për të Mitur, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-158, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për trashëgiminë në Kosovë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën jo-kontestimore, Projektligjin për noterinë, Projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, si dhe Projektligjin për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Republikën e Kosovës.

Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për shërbime.

Seanca pritet të përfundojë me shqyrtimin e Raportit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës./Lajmi.net