Kuvendi Komunal i Prishtinës paraqet rregulloren për rrugët lokale

Në Kuvendin Komunal të Prishtinës, u mbajt sot debat publik me kryetarët e bashkësive lokale dhe me qytetarët, ku u paraqit rregulloren për rrugët lokale.

Lajme

12/08/2015 19:32

Kryetarët e bashkësive lokale kanë shtyer debatin për vendimin për rregulloren për tri ditët e ardhshme, pasi që, siç thanë ata, ky vendim duhet të rishikohet, dhe jo të sillet në Kuvend e aty për aty të jepen vërejtjet.

Përfaqësuesit e Komisionit të projektit për rregulloren e rrugëve lokale, u përgjigjën shumë shkurtër, se të gjitha vërejtjet e sugjerimet të dërgohen në e-maile zyrtare.

Kryetari i bashkësisë lokale në Bardhosh, Hetem Kopina, tha se kjo rregullore nuk mund të diskutohet, pasi që vendimi nuk është parë më herët.

“Unë juve do t’jua bëj një pyetje. Po të ishit ju në vendin tonë, edhe po të kërkoni prononcim, gjerësisht, sugjerime për këtë rregullore të cilën nuk e kemi pas në dorë kurrë – tash para 30 sekondave më ra në dorë – a keni llog arit që duhet me pas shkollë me lexu këtë për tridhjetë sekonda”, tha Kopina.

Për këtë anëtari i Komisionit, inxhinier i komunikacionit, Habib Qorri, tha se janë tri ditë të hapura, ku mund të paraqiten problemet dhe sugjerimet, si gojore, ashtu edhe me e-maile zyrtare.

“Mundësitë e sugjerimeve tuaja janë të gjitha të hapura edhe gojore edhe me shkrim edhe përmes e-maileve zyrtare. . Debati i parë ka shku me bashkësitë lokale për arsye që ata janë njerëzit ma kompetentë edhe që janë më në proces në procedurat e problemeve edhe angazhimet e juaja të përhershme që janë në bashkëpunim me Komunën. Kështu që është llogaritur që jeni ata të parët të cilët mundeni me i fillu vërejtjet, edhe mundeni me i kuptu problemet të cilat mund me u përfshi në rregullore. Për atë kanë mbetur tri ditë të hap ura vetëm për vërejtje, sugjerime deri të vjen momenti që të përgaditet materiali për asamble për miratim”, tha Qorri.

Kryetari i Bashkësisë Lokale në Lakrishtë, Krenar Shala, pyeti se kur do të bëhet emërtimi i rrugëve, pasi që në në Lakrishtë është emërimi i rrugës “Viktor Mayer”, e që askush nuk ia ka idenë për këtë.

“Jam i informuar për një projekt të Komisionit Evropian që ka të bëjë me sistemimin e adresave. Na aty në Lakrishtë që sa kohë e kena emrin në shenjë “Viktor Mayer”, po unë nuk e di për kë është ajo rrugë. A është për ata që vinë prej Gjermanisë, e që e kanë këtë “Viktor Mayer” naj sen, se ajo për neve as që e njeh dikush..Kur kena me fillu me na shkru aty, jo Lakrishtë qysh është edhe në Evropë, por duhet me u shkru emri i rrugës. Emri i rrugës nënkupton edhe mëhalla ku banon… Kur ka me përfundu ky proces?”, thotë Shala.

Për këtë Shala nuk mori përgjigje. Anëtari i komisionit tha se për këtë ekziston një komision i veçantë. Madje ai tha se “kjo zgjat deri kur të përfundojë”.

“Është një komision i veçantë dhe nëse keni dikush prej juve vërejtje për emërtim ose propozime të ndryshme për ndonjë person të veçantë këto të gjitha i drejtohen komisionit për emërtim të rrugëve… Ky ka me zgjatë deri sa të përfundon”, tha Qorri.

Diskutimi për vendimin e Rregullores për rrugët lokale u mbyll pa ndonjë diskutim konkret për këtë rregullore. Ky diskutim do të vazhdojë për tri ditët e ardhshme.

Ndërkohë, kryetarët e bashkësive kërkuan që të jenë pjesë e hartimit të kësaj rregulloreje.