Kuvendi i VIII-të i partisë shkaktoi ndarje në degën e LDK-së në Prizren

Rizgjedhja e Isa Mustafës kryetar i LDK-së, ka përçarë degën e këtij subjekti politik në Prizren.

Lajme

07/06/2015 11:49

Mosmarrëveshjet kanë filluar në Kuvendin Zgjedhor. Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren,Haxhi Avdyli ka propozuar Vjosa Osmanin për kryetar të LDK-së. Ky propozim është kundërshtuar menjëherë nga nënkryetari i tij, Hetem Baxhaku.

“Unë jam ngritur dhe kam sqaruar në Kuvend se propozimi i Haxhi Avdylit për Vjosa Osmanin është preferencë individuale, por jo edhe i degës së LDK-së në Prizren”, ka thënë Baxhaku për “PrizrenPress”.

Baxhaku thotë se kryetari Haxhi Avdyli nuk ka mbajtur takim me Degën, para mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor.

“Ai nuk ka marrë mendimin e Degës, prandaj unë këtë çështje e kam sqaruar në Kuvendin Zgjedhor”, thotë ai.

Kryetari i LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli, ka thënë se propozimi i tij është bërë pas kërkesave të mijëra anëtarëve që ka marrë për Vjosa Osmanin. Ndërkaq, ky propozim ka ndarë në dysh këtë subjekt politik në Prizren.

Madje, një pjesë e anëtarëve të LDK-së po kërkojnë edhe shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të Degës së LDK-së në Prizren.

Avdyli ka paralajmëruar se gjatë ditës së sotme do të lëshojë një komunikatë për shtyp për të sqaruar të gjitha çështjet e ngritura në publik.