Kuvendi i Shqipërisë, për 15 minuta miratohen tri projektligje

Ka qenë seanca më e shkurtër e të gjitha kohërave ajo e ditës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët e mazhorances janë mbledhur me herët se zakonisht dhe për një kohë prej rreth 15 minutash kanë diskutuar dhe miratuar tri projektligje që ishin në rend dite.

Lajme

12/03/2015 16:13

Kjo situatë ka irrituar opozitën. Partia Demokratike ka përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, por ky i fundit e ka cilësuar këtë kërkesë si një temë jashtë rendit të ditës.

Në këtë moment deputetët e opozitës janë mbledhur të gjithë rreth foltores së Kuvendit.

Meta e ka quajtur seancën të mbyllur dhe ka ironizuar deputeten e PD-së dhe ish-kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke i thënë se edhe zgjohet vonë nga gjumi, edhe kërkon të vijë me dhunë në pushtet.

“Shumë vonë është zgjuar kjo zonja, si shpjegohet. Kjo do të vijë edhe me dhunë në pushtet, edhe zgjohet në orën 11:00, keni parë ju apo jo? Ata të shkretët me 10 mijë lekë janë zgjuar që në orën 5:00 të mëngjesit me autobusa, hajde, hajde. Mbyllet votimi. Jo e ke shkelur vendimin e partisë se keni vendosur për të bojkotuar, e ke shumë gabim, apo jo? Po!”, tha Meta ndërsa iu drejtua opozitës dhe veçanërisht deputetes Topallit.

Por pas kësaj ka reaguar ish-kryeministri, Sali Berisha, i cili e ka cilësuar këtë zhvillim kaq të shkurtër si të pashembullt dhe që shënon, sipas tij, kapitullimin e mazhorancës.

“Kjo që ndodhi, kjo mbyllje parlamenti, sikur të ishte kuzhina e Ilirit, ky është akti më i shëmtuar, ky është rast i pashembullt në historinë e kësaj ndërtese në 24 vjet pluralizëm. Këta kanë frikë të tmerrshme nga krimet e tyre. Nëse këta nuk do kishin ndjerë dhe nuk do kishin marrë informacion se Shqipëria është në Tiranë sot këta do vazhdonin qetë e qetë,” tha Berisha pas mbylljes së seancës.

Ndërsa, kryeministri Edi Rama tha se e gjithë kjo trazirë do marrë fund nëpërmjet hetimit të plotë dhe të paanshëm.

“Unë jam i bindur se gjithçka ndodhi dhe shkaktoi gjithë trazirën psikologjike për shoqërinë gjatë këtyre ditëve, do të kthehet në një mirësi për politikën dhe për ndërveprimin shoqëror dhe politik. Por për këtë duhet të presim me durim përfundimet e hetimit, sepse vetëm hetimi i plotë i pa anshëm dhepër çdo detaj i kësaj çështje, do të mund të jap përfundimin që kërkon publiku dhedo të mund të tregojë të vërtetën e gjithë kësaj telenovele të shëmtuar, gjithçka po ndodh të sjell edhe Parlamentin më në fund në binarët e rregullores,” tha kryeministri Rama.

Ndërkohë, Parlamenti i Shqipërisë gjatë gjithë kohës ka qëndruar sot i rrethuar nga forca të shumta policie, të cilët i trembeshin ndonjë incidenti të mundshëm të qytetarëve.