Kuvendi i Kontrolluar
Qeveria ia përcakton agjendën Kuvendit dhe nuk i respekton vendimet e tij. Kështu konstaton Institutit Demokratik i Kosovës. Edhe deputetët pajtohen.
Lajme
Deputetët nga pozita dhe opozita janë pajtuar të hënën se është Qeveria ajo që kontrollon Kuvendin, dhe jo e kundërta, siç duhet të jetë në një demokraci parlamentare.
Kuvendi i Kosovës ka hyrë në dekadën e dytë të jetës së vet, por ende vuan për nga funksioni i mirëfilltë, thuhet në një studim të publikuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Edhe pse kriteri kryesor i një parlamenti demokratik është të jetë përfaqësues i popullit, studimi thotë se kjo nuk ndodh në Kosovë dhe se Kuvendi “nuk është edhe aq përfaqësues i interesave të qytetarëve”. Për më tepër, thuhet tutje, Qeveria nuk i respekton vendimet e Kuvendit.
Në një debat të organizuar nga “Forumi 2015”, në Prishtinë, u kosntatua se Kuvendi kontrollohet nga Qeveria.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, nuk e ka mohuar faktin që ndikimi i Qeverisë në Kuvend ka qenë i madh, dhe se Kuvendit i duhet një ligj dhe një rregullore e veçantë.
“Nuk mund ta mohoj që ndikimi i Qeverisë ka qenë i madh. Kosova nuk është vendi i vetëm në të cilin Qeveria në njëfarë mënyre e përcakton agjendën e Parlamentit. Ne jemi Republikë Parlamentare, por ata që qeverisin normalisht kanë ndikim më të madh, por përderisa liderët janë partiakë edhe Parlamenti është partiak.”
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se Qeveria ka ndikim në përcaktimin e agjendës së Kuvendit, por edhe duke ndikuar mbi deputetët për votim.
“Kjo është legjislatura më e dobët. Problemi më i madh në këtë legjislaturë është veçmas tentimi në çdo mënyrë që agjenda e Qeverisë e mirë apo e keqe, të kalojë në votim.”
“Ka ndikim dhe presion të jashtëzakonshëm në deputetë për votim.”
Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Adrian Gjini, thotë se gjithkund Qeveria kontrollon Parlamentin, por këtë e bënë duke bashkpunuar. Por, kjo gjë, sipas tij, nuk ndodh në Kosovë.
“Qeveria në Kosovë e kontrollon Parlamentin në mënyrë të mbrapshtë. Tek ne banalizohet agjenda, kontrolli bëhet nën tavolinë. Në emër të transparencës mashtrohemi.”
Visar Ymeri nga Vetëvendosje shprehet se zhvillimi i demokracisë është vënë më plan të dytë, sepse për Qeverinë e Kosovës, për të në rend të parë është stabiliteti rajonal.
“Thuhet se nuk ka rëndësi demokracia sepse njëherë për njëherë jemi duke u angazhuar për stabilitetin rajonal. Është e domosdoshme që Kuvendi të jetë jo vetëm përfaqësues i interesit të përgjithshëm por të jetë edhe përfytyrues i interesit të përgjithshëm”.
Studimi i KDI’së thotë se funksionimi i demokracisë në Kuvendin e Kosovës, si institucion që tanimë ka hyrë në dekadën e dytë të funksionimit po përballet me probleme serioze.