Kuvendi do të bëhet me ligj të veçantë

Anëtari i Komisionit për Legjislacion, Armend Zemaj thotë se deri në muajin gusht, deputetët do të miratojnë Ligjin për Kuvendin.

Lajme

05/05/2015 07:45

Zemaj thotë se ky ligj do të ndihmojë në ndarjen e përgjegjësive sipas Kushtetutës, qoftë në aspektin politik dhe atë administrativ.

“Duke i parë praktikat e vendeve demokratike dhe duke e analizuar këtë çështje, e kemi parë të arsyeshme ta iniciojmë nxjerrjen e një ligji të tillë. Ligji për Kuvendin ndihmon në ndarjen e rolit dhe të përgjegjësisë sipas Kushtetutës që i takon Kuvendit si organi më i lartë ligjvënës qoftë në aspektin administrativ apo në aspektin politik. Prandaj, kemi marrë nismën legjislative si nënkomision për mandate, imunitete dhe Rregullore të Punës së Kuvendit, ta bëjmë me ligj Kuvendin e Kosovës”.

“Kjo do të ndodhë brenda këtij sesioni pranveror, prandaj deri në muajin guhst besojmë se Ligji për Kuvendin do të kalojë në leximin e parë”, thotë Zemaj në një intervistë dhënë për Epoka e Re.

Sipas deputetit Zemaj, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk janë vonuar me nxjerrjen e ligjit për Kuvendin.

Sipas tij, ky ligj do të mundësoj, që në çfarëdo faze, të mos ketë vakum institucional.

“Nuk mund të themi se jemi vonuar sepse në Kushtetutë është e përcaktuar se organizimi i Kuvendit të bëhet sipas Rregullores së Punës. Por, dallimi është se ne tash synojmë ta kemi një ligj të përhershëm, i cili në çfarëdo faze nuk lë vakum institucional qoftë në zgjedhje, qoftë në funksionimin e vazhdueshëm të institucionit të Kuvendit”, theksoi ai.