Kuvendi diskuton një varg projektligjesh

Sot, Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare, ku do të shqyrtohen një sërë projektligjesh.

Lajme

06/05/2015 09:05

Njëri prej projektligjeve që do të shqyrtohet është edhe ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Festat Zyrtare si dhe ai për Maturën Shtetërore.

Deputetët në Kuvendin e Kosovës, po ashtu do të shqyrtojnë sot edhe projektligjin për armë, për Letërnjoftim, atë për Avokatin e Popullit, për Barazi Gjinore, për Mbrojtje nga diskriminimi, për Trashëgiminë Kulturore.

Më tutje do të shqyrtohet edhe Projektligji për Digjitalizimin e transmetimeve radio difuzive tokësore, për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të Gjykatës ose Panelit për Lirim me Kusht, shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Emërimi i shtatë (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, e një sërë projektligjesh të tjera.

Prej 31 pikave të rendit të ditës, është përfshirë edhe debati kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, pas një peticioni të nënshkruar nga qytetarët e Kosovës.