Kuvendi dështon të zgjedhë Avokatin e Popullit
Ndonëse Hilmi Jashari morri 49 vota, ai nuk arriti që të bëhej Avokati i Popullit, pasi që për emërimin në këtë post kërkohen 61 vota të deputetëve. Konkursi për Avokat të Popullit duhet të përsëritet.

Lajme
Deputetët e Kuvendit të Kosovës edhe pas dy raundeve të votimit nuk arritën që të zgjedhin Avokatin e Popullit pasi që me ligj kërkohen 61 vota të deputetëve, andaj konkursi për Avokatin e popullit do të përsëritet .
Kandidati Hilmi Jashari morri 49 vota të deputetëve ndërsa Gjyljeta Mushkolaj morri 31 vota, e ndërkaq Adrijana Hodzic morri vetëm 17 vota.
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Syzana Novobërdali njoftoi se për Avokat të Popullit kishin aplikuar 26 kandidatë.
“Në konkursin e shpallur për Avokat të Popullit kanë aplikuar 26 kandidatë, prej tyre 25 kanë plotësuar kushtet formale të konkursit”.
“Paneli ka ftuar për intervistim 25 kandidatët dhe intervistomi ka zgjatur 2 ditë”.
Ardijana Hodzic, Gjyljeta Mushkolaj dhe Hilmi Jashari ishin tre kandidatët për Avokat të Popullit. Avokati i Popullit ka mandat 5 vjeçar.
Ndryshe sot Kuvendi me 43 vota për, 29 kundër dhe 8 abstenime emëroi propozimet e Qeverisë për kryetar dhe anëtar të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Për Kryetar u emërua Hysni Hoxha, anëtar Ekrem Saliu, Tefki Syljemnia, Vjollca Kurteshi dhe Bajram Roxhani.
Kryetari dhe anëtarët e OSHP’së kanë mandat 5 vjeçar.