Kuvajti përcjell nga afër familjen e ‘xhihadistit John’

Raportet nga Kuvajti thonë se autoritetet janë duke monitoruar të afërmit e Mohammad Emwazit, qytetarit britanik që dyshohet se është militanti famëkeq i Shtetit Islamik, i njohur me pseudonimin, ‘Xhihadisti John’.

Bota

01/03/2015 11:07

Gazeta, Al Qabas e Kuvajtit shkruan se disa të afërm të Emwazit, të cilët gjithashtu kanë pasaportë britanike, por që punojnë në Kuvajt, janë duke u monitoruar “orë e çast”, transmeton REL.

Gazeta nuk ka thënë se sa pjesëtarë të familjes së Emwazit punojnë në Kuvajt.

Autoritetet nuk kanë pranuar të flasin rreth kësaj.

Gazeta Al Rai citon një zyrtar të sigurisë i cili ka thënë se babai i Emwazit, qytetari britanik, Jassem Abdulkareem, është një nga ata që punojnë në Kuvajt, ndërsa ai pritet të thirret nga autoritetet atje.

Emwazi është lindur në Kuvajt, ndërsa ka vizituar shtetet e Gjirit në disa raste, hera e fundit në vitin 2010.

Ai dyshohet se është militanti që ka ekzekutuar së paku pesë qytetarë perëndimorë me heqje koke, diçka që është parë në videot e publikuara nga vet Shteti Islamik.

Ai dyshohet se tani qëndron në Siri, pjesën e kontrolluar nga Shteti Islamik.