Kushtëzimi i domosdoshëm

Zv/Ministri i Jashtëm Petrit Selimi thotë se Kosova do të jetë kusht i pamohueshëm i Serbisë në rrugën e saj drejt BE’së. Skënder Hyseni mendon se është koha që BE, si strukturë, t’i dërgojë sinjale të qarta Serbisë se Kosova është kusht.

Lajme

29/09/2013 12:16

Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës dhe Opozita kanë mirëpritur Dokumentin e Punës, hartuar nga Britania e Madhe dhe Gjermania, me të cilin kushtëzohet rruga e Serbisë drejt Bashkimit Europian me normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën. 

Në këtë dokument, të cilin lajmi.net e ka botuar të plotë dje, bëhet e qartë se rruga e Serbisë për BE duhet të kalojë nëpër Kosovë.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, thotë për lajmi.net se është krejtësisht e qartë se dialogu i filluar midis Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme për përmbushjen e Kritereve të Kopenhagës për të dy shtetet, e që nënkupton edhe fqinjësinë e mirë.

“Për një shumicë absolute të anëtarëve të BE’së, ku janë edhe  Gjermania dhe Britania, dy shtetet duhet të jenë në fqinjësi të mirë, që nënkupton edhe bashkëpunim të barabartë dhe reciprok në të gjitha fushat”.

“Ky dokument punues i Gjermanisë dhe i Mbretërisë së Bashkuar tregon se edhe në hapat e ardhshëm, në ditët e ardhshme, edhe në vitet e ardhshme, në çdo skaj, në çdo pikë, në çdo kapitull, Kosova do të jetë kusht i pamohueshëm i Serbisë, prej bujqësisë e deri te adminsitrata e kontrolli kufitar, gjë që garanton sovranitetin dhe hyrjen e të dy shteteve në BE pa pasur mundësi të kushtëzimit apo rrezikimit të njërës ndaj tjetrës”.

Ish Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, pret që hapa të tillë kushtëzues ndaj Serbisë të ndërmerren edhe nga shtetet tjera anëtare të Bashkimit Europian.

Hyseni thotë për lajmi.net se Serbisë duhet t’i bëhet e qartë se pa e normalizuar krejtësisht raportin me Kosovën, nuk mund të hyjë në Bashkimin Europian.

“E kam parë dokumentin, e kam trajtuar. Është esenciale që jo vetëm shtetet individualisht të BE’së, por edhe BE si strukturë, t’i dërgojë sinjale të qarta Serbisë se Kosova është shtet. Kjo do të thotë që neutraliteti ndaj statusit të marrë fund”.

“Mendoj se veprime të ngjashme me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe duhet të priten edhe  nga shtetet tjera të BE’së”.

“Serbisë duhet t’i bëhet e qartë se pa e normalizuar krejtësisht raportin me Kosovën, pa njohur Kosovën si shtet, pa i njohur rrethanat e reja që janë krijuar në Ballkan, nuk mund të hyhet në BE”.

“Në fund të fundit janë Kriteret e Kopenhagës që i përcaktojnë qartë edhe kushtet politike të secilit shtet veç e veç që duhet t’i përmbushë për t’u kualifikuar për anëtarësim. Marrëdhëniet e mira me fqinjët janë pothuajse kriteri kryesor politik.”

Hyseni, po ashtu, rikujton se normalizim të plotë mund të ketë vetëm atëherë kur Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.