“Kushtetuta duhet të plotësohet me disa kapituj”

9:31 | 9 Prill 2018

Profesori universitar i së Drejtës, Flamur Hyseni, ka thënë se Kushtetuta e Kosovës ka nevojë të plotësohet me disa kapituj në të ardhmen.

Me rastin e shënimit të dhjetë vjetorit të Kushtetutës, Hyseni ka thënë se aktit më të lartë juridik të vendit duhet t’i shtohet kapitulli që ka të bëjë me konstitucionalizimin e partive politike dhe kapitujt që ndërlidhen me integrimet euroatlantike.

Po ashtu, ai ka shprehur edhe nevojën e ndryshimit të mënyrës së zgjedhjes së presidentit.

Sipas tij, shefi i shtetit duhet të zgjedhet drejtpërdrejt nga populli.

“Disa formula kushtetuese kanë qenë si kushtëzime për të ekzistuar shteti i Kosovës, sepse kjo Kushtetutë ka pasur rol dhe mision historik, bërjen funksional të shtetit me të gjitha institucionet kryesore shtetërore. Këto kushtëzime, me kalimin e kohës, e humbasin rëndësinë e tyre dhe ndodhë ndryshimi”.

“Kjo Kushtetutë në dhjetë vjetët e ardhshëm ka nevojë të plotësohet me kapituj të rinj për konstitucionalizimin e partive politike, integrimet evropiane dhe anëtarësimin në NATO. Ndërsa duhet të ndryshohet sa i përket mënyrës së zgjedhjes së presidentit. Presidenti duhet të zgjedhet drejtpërdrejt nga populli”, ka thënë Hyseni në një intervistë për “Epoka e Re”.

Profesori universitar ka pohuar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës e miratuar më 9 prill 2008, ka arritur të realizojë dy qëllime kryesore: konstituimin e institucioneve themelore shtetërore dhe fillimin e procesit të transformimit të shumë segmenteve shoqërore.