Kushtetuesja s’mund t’ia ndalojë rikandidimin Isa Mustafës

Partia Demokratike e Kosovës ka kontestuar zgjedhjen e Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit, dhe këtë e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Aty ka kërkuar sqarim edhe për atë se cili është Grupi Parlamentar më i madh. Nëse Kushtetuesja vendosë kthimin në pikën zero të seancës konstituive të Kuvendit dhe të drejtën e Grupit Parlamentar më të madh ja jep LDK-AAK-Nisma-s, atëherë Mustafën nuk do ta ndalonte asgjë që të rikandidohej edhe një herë për kryeparlamentar, vlerësojnë analistët politik. 

Lajme

21/07/2014 18:18

Gjykata Kushtetuese nuk mund të ja ndalojë Isa Mustafës që të rikandidohet për postin e Kryetarit të Kuvendit, edhe nëse gjenden shkelje në procedurat e zgjedhjes së tij në krye të legjislativit të vendit në seancën konstituive të 17 korrikut.

Nëse Kushtetuesja del me vendimin se Kuvendi ka bërë shkelje gjatë zgjedhjes së Kryeparlamentarit, kjo nuk ia ndalon Mustafës që të rikandidohet, pasi sipas analistit Shpend Kursani, janë procedurat dhe ligjet që janë shkelur nga Kuvendi dhe jo ekskluzivisht nga Mustafa.

“Nëse Gjykata Kushtetuese vendosë që ta rikthej procedurën e zgjedhje së Kryeparlamendarit nga pika zero, shikuar në nivel normativ, kjo nuk do të duhej ta ndëshkonte z. Mustafa që të rikandidoj. Kjo për shkak se nëse një aktgjykim i tillë vie nga Gjykata Kushtetuese bazuar në shkeljen e procedurave dhe rregullores së Kuvendit apo ligjeve në fuqi, ato nuk janë shkelur në mënyrë direkte apo ekskluzivisht nga z. Mustafa, por nga ata që e kanë propozuar. Për një shkelje kolektive, nuk duhet të dënohet një individ, ashtu si për shkelje individuale që nuk duhet të ketë dënim kolektiv”.

“Sido që të jetë, kjo pastaj mund të jetë edhe çështje personale dhe morale e z. Mustafa nëse do të kandidojë sërish, por nuk besoj që do të duhej të sanksionohej, për shkak se procedurat që u thyen, u thyen për shkak se disa të tjera u thyen paraprakisht. Kështu që vendimi i Gjykatës Kushtetuese në fund duhet të jetë i qartë dhe i prerë, dhe të tregojë nëse dikush si individ duhet të sanksionohet, dhe mbi çfarë baze”, thotë Kursani për lajmi.net.

Edhe analisti Fisnik Korencia mendon se Isa Mustafa mund të rikandidohet sërish-nëse kështu vendos koalicioni LDK-AAK-Nisma.

“Proceduralisht nuk ka asnjë problem sepse aty kontestohet vendimi i Kuvendit dhe jo i emrit të kandidatit që është zgjedhur Kryetar i Kuvendit”.

“Kërkesa për kontestim të një vendimi të Kuvendit në fakt i referohet një situate e cila potencialisht nga kërkuesit apo ata që e kanë bërë këtë kërkesë është një vendim i një shkelje kushtetuese i Kuvendit të Kosovës dhe nëse eventualisht Gjykata Kushtetuese thotë se një vendim i tillë ka qenë kundër kushtetues pasojat për një vendim të tillë i bartë Kuvendi dhe jo personi që ka qenë objekt i një vendimi të tillë”.

“Kështu që, si pasojë i njëjti grup parlamentar mund të shkojë sërish me të njëjtin kandidat me një procedurë të re eventuale dhe Gjykata Kushtetuese nuk mund të bëjë ndalesë për një gjë të tillë, meqë subjekti që bënë propozimin ka lirinë e plotë që të zgjedh se kush është kandidati që ajo propozon për pozitën e Kryeparlamentarit”. 

Një situatë përafërsisht e njejtë me rastin e zgjedhjes së Mustafës, ishte edhe ajo kur Behgjet Pacolli u zgjodh për president të vendit.

Edhe në atë rast Kushtetuesja kishte gjetur fajtor Kuvendin për shkelje të procedurave, por Pacolli nuk ishte rikandiduar për president.

Por, sipas Korenicës, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë tash në rastin e zgjedhjes së Kryeparlamentarit. 

Sipas tij, në rastin Pacolli, nuk ka qenë problemi se ai ka hequr dorë nga rikandidimi shkaku i shkeljes së konstatuar në Kushtetuese, por për faktin se koalicioni edhe në rastin rastin e dytë, sikurse në të parin nuk do të ishte në gjendje të siguronte votat e mjaftueshme për të krijuar kuorumin në Kuvend.

“Në rastin Pacolli, Gjykata Kushtetuese ka anuluar vendimin për zgjedhje dhe ka vendosur një kusht shtesë sa i takon votimit, kusht të cilin nuk kanë mundur që ta plotësojnë pastaj koalicioni i atëhershëm qeverisës, pra PDK-AKR dhe minoritetet, prandaj Behgjet Pacolli nuk ka mundur që të jetë edhe njëherë kandidat për President”.

“Kështu që edhe në rastin e Pacollit nuk është Gjykata Kushtetuese që i ka ndaluar z.Pacolli që ai të kandidojë edhe njëherë por ka qenë kushti që në sallë të jenë 2/3 e deputetëve të cilin me bojkotin e opozitës, PDK, AKR dhe minoritetet nuk mund t’i plotësonin dhe si pasojë nuk mund ta kishin edhe njëherë Pacollin kandidat të tyre. Por, një rrethanë e tillë nuk mund të vijë sa i takon zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, sepse tek procedura e zgjedhjes së tij nuk ka një kërkesë as në kohën e votimit e as në bërjen e kuorumit të seancës të ketë një shumicë prej 2/3”, tha Korenica për lajmi.net.

Ndërsa rast krejt tjetër është ai i ish presidentit Fatmir Sejdiu. Këtu shkelja e Kushtetutës është kryer nga presidenti, dhe në këtë rast atij është dashur të jap dorëheqje nga posti i të parit të shtetit. (lajmi.net)