Kushtetuesja nuk mund ta shqyrtojë përsëri çështjen e Speciales

Lënda e tri partive opozitare Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, e dërguar në Gjykatën Kushtetuese për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e votimit të amendamentit 24, i cili i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale mund të mos merret në shqyrtim fare nga organi më i lartë për interpretimin e Kushtetutës.

Lajme

12/08/2015 10:31

Një gjë të tillë e ka paralajmëruar ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese dhe njohësja e Kushtetutës, Gjyljeta Mushkolaj. Ajo në një prononcim për lajmi.net ka thënë se vetëm Kapitulli i II-të, i cila ka të bëjë me të drejta e njeriut është në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim.

“Përsa i përket ndryshimeve kushtetuese, në këtë rast Gjykata ka juridiksion vetëm të vlerësojë nëse amendamenti i propozuar zvogëlon ose jo te drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II te Kushtetutës”.

“Sot, Kushtetuta jonë është e ndryshuar, amendamenti i vlerësuar paraprakisht nga Gjykata është miratuar nga Kuvendi dhe nuk ka më kthim prapa. Gjykata kushtetuese e ka përfunduar punën e vet dhe nuk ka juridiskcion që amendamentin e miratuar, ta vlerësojë dhe shqyrtojë edhe një herë. Gjykata vetëm është e obliguar që atë amendament ta zbatojë!”, ka thënë Mushkolaj.

Përfaqësuesit e tri partive opozitare të martën pas dorëzimit të lëndës në Gjykatën Speciale, kanë thënë se përveç aspektit procedural, ata kontestojnë edhe aspektin përmbajtjesor të amendamentit 24 i cili pas miratimit në Kuvend i ka hapur rrugë formimin të Gjykatës Speciale.

Opozita ka bërë të ditur se, përveç Kapitulli të II-të të Kushtetutës ata tashmë kanë kontestuar edhe kapitujt 1,4,5,7 dhe 12 të Kushtetutës.

Kurse, Drejtori i zyrës për komunikim dhe informim në Gjykatën Kushtuese, Veton Dula në një deklarim për lajmi.net, të martën, ka thënë se kjo gjykatë do të trajtojë kërkesën e partive opozitare në përputhje me legjislacioni në fuqi.

E nëse Gjykata Kushtetuese e merr në shqyrtim lëndën e opozitës, ajo do të trajtohet nga paneli jo i plotë i kësaj gjykate.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese ka vetëm 7 gjyqtarë nga 9 gjithsej. Por, ish- gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Gjyljeta Mushkolaj, ka thënë se kjo nuk paraqet problem për gjykatën që të marr vendime.

Ajo për mos-kompletimin e gjyqtarëve të Kushtetueses ka fajësuar Kuvendin e Kosovës.

“Fatkeqësisht, pas përfundimit të mandatit të dy anëtarëve të gjeneratës se parë të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës kishte dështuar që me kohë ta plotësonte përbërjen e Gjykatës kushtetuese, dhe për tri vitet e ardhshme, Gjykata nuk kishte funksionuar në përbërje të plotë. Megjithatë, Gjykata ka funksionuar, sepse kishte kuorum të nevojshëm për marrjen e vendimeve”.

“Edhe sot i mungojnë Gjykatës dy anëtarë, por përsëri ka kuorum. Kështu që, nëse Gjykata Kushtetuese ka kuorum, vendimet e saj janë valide dhe të gjitha institucionet dhe të gjithë individët duhet ti respektojë”, është shprehur Mushkolaj. (Lajmi.net).