Kushtetuesja do të vendosë për vendet e rezervuara
Partitë e komuniteteve pakicë kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të japë mendimin edhe për një mandat për vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Slobodan Petrovic thotë për lajmi.net se nevojitet edhe një mandat, meqë ato të kaluarat s’kanë qenë të plota.
Lajme
Deputetë të disa partive të komuniteteve pakicë kanë dërguar një letër në Gjykatën Kushtetuese, ku kanë kërkuar që të garantohet edhe një mandat për vendet e rezervuara.
Sipas Planit të Ahtisaarit, vendet e rezervuara për komunitetet pakicë në Kuvendin e Kosovës janë garantuar vetëm për dy mandate. Në bazë të këtij plani, përcaktohet se pas zgjedhjeve të përgjithshme që pritet të mbahen këtë vit, pakicave nuk u garantohen më vende të rezervuara.
Kryetari i Partisë së Pavarur Liberale (SLS) dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, thotë se me këtë letër kërkojnë nga Kushtetuesja që të japë një mendim lidhur me këtë çështje.
Petrovic, në një prononcim për lajmi.net, thotë se duhet garantuar edhe një mandat për këto vende, pasi që, sipas tij, mandatet e kaluara nuk kanë qenë të plota.
“Sipas nesh, nuk kanë skaduar dy mandate për pakica, por vetëm një. Ndërsa, disa të tjerë thonë se kanë kaluar dy mandate. Kështu që, i kemi dërguar një letër Gjykatës Kushtetuese që ta komentojë këtë çështje”.
“Ne presim që përgjigja nga Gjykata Kushtetuese që të thotë se ka kaluar vetëm një mandat, pasi që njëri nga mandatet nuk ka qenë i plotë”.
Ai thotë se do të respektojë çdo mendim të Gjykatës Kushtetuese, qoftë ai edhe kundër caktimit të edhe një mandati për këto vende të rezervuara.
“Sido që të jetë, ne e pranojmë mendimin e Gjykatës Kushtetuese, çfarëdo qoftë ai”.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rasic, në një prononcim për RTK, insiston që vendet e rezervuara të vazhdojnë, pasi kjo do të ishte në interes të Kosovës.
“Konsideroj që kjo do të shkonte në të mirë të Kosovës, në të kundërtën në vend që të përshpejtojmë afrimin me BE’në, në këtë formë po shkojmë larg e më larg saj, e besoj se ky nuk është qëllimi as i partive në pozitë as i atyre në opozitë”, ka deklaruar Rasic.
Ai ka shtruar se opsioni i fundit do të ishte që pakicat të braktisin institucionet për pakënaqësitë që mund të prodhojë mosaprovimi i kërkesës për vendet e rezervuara.