Kush s’e legalizon, i rrënohet objekti

Ka ngelur edhe më pak se një muaj kohë, që qytetarët që kanë ndërtuar pa leje, të aplikojnë për legalizim të objektit të tyre. Të gjithë ata që nuk aplikojnë, objekti i tyre do të shkojë në rrënim, pa u futur në shqyrtim fare. 

Lajme

12/01/2015 12:42

Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor, Ferid Agani, bashkë me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, sot kanë propozuar nisjen e fushatës sensibilizuese, për aplikim të legalizimit të objekteve të ndërtuara pa leje. 

Faza e aplikimit do të zgjas deri më 5 shkurt. Më pas objektet për të cilat është aplikuar do të shqyrtohen, nëse plotësojnë kushtet për legalizim apo jo. 

Ministri Agani, ka thënë se deri në vitin 2017 pritet që të përmbyllet legalizimi i të gjitha objekteve, kur edhe do të shfuqizohet ligji në fuqi. 

Ai ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës, që kanë ndërtuar objekte pa leje, që të aplikojnë, në mënyrë që objekti i tyre të merret në shqyrtim, përndryshe ai do të hyjë në rrënim, pa u shqyrtuar fare. 

Deri tani sipas ministrit Agani është aplikuar për rreth 30 objekte, e një e katërta e tyre janë nga Komuna e Prishtinës. 

Kryetari Shpend Ahmeti, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje, duke e ditur se ky është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet kryeqyteti. (lajmi.net)