Kush është Valdrin Mustafa, talenti që braktisi Shqipërinë për Kosovën

Para pak minutash edhe zyrtarisht u konfirmua se Valdrin Mustafa do ta vesh fanellën e Kosovës.

Sport

07/08/2019 21:37

Federata e Futbollit të Kosovës bashkë me ndihmësit e saj duket se arritën ta bindin 21-vjeçarin t’i bashkohet Dardanëve, pas një eksperience jo të mirë që kaloi kohëve të fundit me Shqipërinë.

Sulmuesi kosovar karrierën e nisi te ekipi Saarbrucken, përpara se në vitin 2014 të transferohej te ekipi i moshave të Kaiserslautern, shkruan lajmi.net.

Në vitin 2017, ai arriti të luante për ekipin e dytë të K’lautern dhe dy vite më pas, pra në verën e këtij viti, paraqitjet fantastike të tij zgjuan interesimin e skuadrave të njohura në Gjermani.

Kësisoj, Hannover 96, që garon në Bundesliga 2, arriti t’i siguronte shërbimet e tij, por fillimisht lojtari është regjistruar në ekipin e dytë të kësaj skuadre.

Sa i përket ndeshjeve ndërkombëtareve, Mustafa zgjodhi ta përfaqësonte Shqipërinë, ku më 12 qershor 2017 debutoi me U21 në barazimin 0:0 ndaj Estonisë, në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2019, përcjell lajmi.net.

Ai arriti të bënte gjashtë paraqitje me ekipin U21, por kohëve të fundit çuditërisht selektori Alban Bushi ‘harroi’ ta ftonte sulmuesin e ri të Hannover.

Kështu, Valdrin Mustafa ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën U21 dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjet e shtatorit.

Vlera e tij aktuale në tregun e transferimeve është 75 mijë euro. /Lajmi.net/