Kush është qyteti shqiptar që hargjon më së shumti për të ngrënë në restorante?

Shqipëria, në krahasim me rajonin, por edhe disa vende të Europës, është më e shtrenjtë për vaktet në restorantet e lira.

Lajme

01/01/2019 23:05

Sipas portalit më të madh të dhënave Numbeo.com, një vakt në Shqipëri kushton rreth 5.5 dollarë, duke e listuar Shqipërinë në vendin e 10 në Europë për çmimet më të lira për konsumin e një vakti në një restorant jo të shtrenjtë. Kosova është vendi më i lirë i Europës, ku në restorantet e lira mund të konsumosh një vakt për 3.4 dollarë.

Në vend të dytë renditet Bosnja, ku konsumi i një vakti është 4 dollarë, Ukraina, 4.2 dollarë, Maqedonia me 4.6 dollarë dhe Serbia me 4.8 dollarë. Më të lira se Shqipëria janë edhe disa vende të Europës Lindore dhe Qendrore. Në Poloni, Hungari dhe Çeki mund të konsumosh një vakt për 5.2 dollarë.

Ku është më shtrenjtë që të hash lirë?

Edhe pse janë listuar çmimet e restoranteve të lira, një vakt në Zvicër kushton rreth 22 dollarë, duke e renditur vendin më të shtrenjtë të Europës. Norvegjia, e cila renditet e dyta, dhe Islanda gjithashtu kanë një çmim të shtrenjtë, me rreth 20 dollarë vakti.

Me 17 dollarë mund të hash një vakt, edhe pse restoranti cilësohet i lirë, në: Belgjikë, Irlandë, Itali dhe Holandë.

Në Mbretërinë e Bashkuar çmimi për një vakt është 15 dollarë.

Vendet me një çmim mesatar prej 11 dollarësh për vakt janë: Austria, Gjermania, Finlanda, Greqia dhe Spanja.

Po sa shpenzojnë shqiptarët në restorante?

Në 2017-n, shpenzimet mesatare në vend për restorante dhe hotele ishin 5% sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve 2017. Mesatarja europiane për shpenzimin në restorante sipas Eurostat është 8%, shkruan “Monitor”.

Shpenzimet për “Restorante dhe hotele” kanë regjistruar një rritje prej 11,8%, krahasuar me vitin e kaluar, e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve të nëngrupit “restorante”, raporton INSTAT në anketë.

Shkodra mban rekordin për shpenzimet në restorante dhe hotele, ku sipas të dhënave në Anketën në Buxhetit të Familjeve 2017, shpenzimet për restorantet dhe hotele ishin sa 9.5% e totalit.

Pas shkodranëve, shpenzimet më të larta në raport me totalin i kanë beratasit. Qarku i Beratit shpenzoi mesatarisht në 2017-n 6.3% për restorante dhe hotele, duke u ndjekur nga Fieri (6%), Lezha (5.8%) dhe Tirana me 5.5%. Korça, gjithashtu, i ka shpenzimet për restorante më të larta se mesatarja kombëtare me rreth 5.4% të totalit. Në Qarkun e Dibrës, shpenzimet për restorante dhe hotele në 2017-n ishin 4.2%./express/