Kush është babai që masakroi vajzën

Kujtim Ibraj është 57-vjeçari, i cili mbrëmjen e së dielës vrau vajzën e tij 17-vjeçare, Elidona Ibraj dhe plagosi vajzën tjetër, Esmeralda Ibraj, 22 vjeç. Detaje të tjera publikohen rreth ngjarjes, e cila ndodhi në një banesë private në rrugën “Jordan Misja” në kryeqytet.

Lajme

02/02/2016 18:32

 

Burime nga policia bëjnë me dije se familja kishte konflikte të vazhdueshme dhe se shpesh herë, për shkak të mosmarrëveshjeve, të cilat degjeneronin deri në dhunë fizike, inspektorët e zonës së policisë ndërhynin duke shoqëruar palët në komisariat.

Pavarësisht ngjarjeve të përsëritura, fëmijët, për mëshirë, duke e ditur se babai i tyre ishte i alkoolizuar, refuzonin të bënin denoncim ndaj tij, njofton “Klan”.

Prej më shumë se shtatë vitesh, megjithëse ndanin të njëjtin oborr, Kujtimi jetonte i vetëm, në një prej dhomave të shtëpisë, ndërsa ish-gruaja me 6 fëmijët, në pjesën tjetër.

Motra e madhe ka treguar në polici se 17-vjeçarja Elidona, që mbeti e vrarë nga goditjet me thikë, ishte ajo që gjithmonë ndërhynte që të qetësonte gjaknxehtësinë e babait, i cili ishte agresiv dhe fyente për shkak të përdorimit të alkoolit.

22-vjeçarja e plagosur, Esmeralda ndodhet në familje dhe nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve. Pas krimit, babai vrasës u shpreh se nuk mbante mend çfarë kishte bërë. Ai shfaqi pendesë, ndërsa të mërkurën pritet të dalë para gjykatës, për t’u njohur me masën e sigurisë.